Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka paralajmëruar organizimin e dy tubimeve në Hagë, më 15 dhe 16 shtator, në prag dhe në ditën kur pritet shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas njoftimit, tubimet do të mbahen në Malieveld të Hagës dhe synojnë të shprehin mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe të mbrojnë, sipas organizatorëve, “të vërtetën dhe historinë e luftës çlirimtare të Kosovës”.
Tubimi i parë është planifikuar për të martën, më 15 shtator, nga ora 20:00 deri në 23:00.
Ndërsa tubimi i dytë do të mbahet të mërkurën, më 16 shtator, nga ora 07:00 deri në 15:00.
“Liria ka Emër” u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve dhe të gjithë qytetarëve të interesuar që t’u bashkohen tubimeve në Hagë.