Shtetet e Bashkuara sot shënojnë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në të cilat humbën jetën afro 3 mijë persona në Nju Jork, Uashington dhe Pensilvani.
Më 11 shtator 2001, pilotë kamikazë të organizatës terroriste Al-Kaeda, të udhëhequr nga Osama bin Laden, drejtuan avionë të rrëmbyer drejt Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke shkaktuar shembjen e dy kullave.
Dy avionë pasagjerësh amerikanë u përplasën me kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork. Një avion i tretë i rrëmbyer u përplas me Pentagonin, selinë e ushtrisë amerikane pranë Uashingtonit. Avioni i katërt u rrëzua në Pensilvani para se të arrinte objektivin e tij.
Sulmet nuk ndodhën papritur. CIA prej vitesh para vitit 2001 ishte në dijeni për ekzistencën e rrjetit të Al-Kaedës dhe liderit të saj, sauditit Osama bin Laden. Agjencia madje kishte një ekip të posaçëm të ngarkuar me gjetjen e tij.
Nëntë ditë pas sulmeve të 11 Shtatorit, presidenti i atëhershëm amerikan, George W. Bush, shpalli “Luftën kundër terrorizmit”.
“Më shumë se 100 milionë amerikanë janë shumë të rinj për ta kujtuar atë ditë”, deklaroi së fundmi ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg. Disa prej tyre vetëm tani po zbulojnë tmerrin e 11 Shtatorit, duke parë video të shumta në platforma si YouTube dhe TikTok.
Shumë amerikanë kujtojnë gjithashtu ndjenjën e fortë të unitetit që u krijua menjëherë pas sulmeve. Jennifer Jasensky, 55-vjeçare nga Milford, Connecticut, kujton se njerëzit u afruan me njëri-tjetrin dhe se flamuri amerikan valëvitej në pothuajse çdo shtëpi.
Elizabeth Zorko, një ish-punonjëse e administratës zgjedhore nga Omaha, Nebraska, tha se përjetoi diçka të ngjashme: njerëzit e panjohur shkëmbenin shikime që shprehnin një lidhje të thellë, të krijuar nga ajo përvojë tragjike e përbashkët.
Por kjo ndjenjë uniteti shumë shpejt u zëvendësua nga zemërimi dhe ndarjet, veçanërisht për shkak të luftërave në Irak dhe Afganistan, të nisura nga administrata e George W. Bush dhe të paraqitura si konflikte të nevojshme në kuadër të luftës kundër terrorizmit.
“Filluan dy ‘luftëra të pafundme’ që ishin krejtësisht joefektive për sigurinë tonë ushtarake, ndërsa vetëm dëmtuan reputacionin tonë në botë – veçanërisht në Evropë dhe Lindjen e Mesme – dhe kushtuan jetën e mijëra ushtarëve amerikanë dhe të panumërt civilëve irakianë”, shkroi Benjamin Price, avokat 50-vjeçar nga Savannah, Georgia.
Disa amerikanë kanë kritikuar gjithashtu masat e sigurisë të vendosura pas sulmeve dhe mungesën e masave për kontrollin e armëve.
Një tjetër lexues deklaroi se sulmet e 11 Shtatorit janë përdorur për “demonizimin dhe dehumanizimin e një rajoni të tërë të botës”.
Për myslimanët amerikanë, 11 Shtatori solli edhe një rritje të islamofobisë. Një lexues i “The Guardian”, i cili preferoi të mbetet anonim, tha se gjatë viteve të shkollimit u përball kryesisht me tallje dhe shaka nga bashkëmoshatarët.
Sipas tij, pas 11 Shtatorit, Lindja e Mesme filloi të lidhej pothuajse ekskluzivisht me rrezikun dhe terrorizmin, pavarësisht se është djepi i feve abrahamike dhe i qytetërimeve të lashta.
Ndër ndryshimet më të dukshme në jetën e përditshme amerikane pas 11 Shtatorit përmenden “Patriot Act” dhe ligjet e reja për sigurinë në aviacion dhe transport.
Kontrollet në aeroporte dhe masat e tjera të sigurisë, të cilat në vitet ’90 do të konsideroheshin të papranueshme, pas sulmeve u bënë pjesë e përditshmërisë dhe shumë prej tyre mbetën në fuqi.
Një prej të intervistuarve tha se nuk ka udhëtuar me avion që nga prilli i vitit 2002, jo për shkak të frikës, por sepse udhëtimi ajror i duket tepër i lodhshëm dhe i komplikuar.