Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të 11 shtatorit, në ShBA.
Në një fjalë rasti te ky memorial, Kurti tha se një prej vizitave më mbresëlënëse që ka zhvilluar në ShBA ka qenë ajo e vitit të kaluar, kur bashkë me bashkëshorten e tij Ritën, kishin vizituar memorialin dhe muzeun e 11 Shtatorit në Nju Jork.
“Prej të gjitha udhëtimeve që i kam bërë në ShBA, njëra prej vizitave më mbresëlënëse ka qenë vizita bashkë me gruan time, Rita, te memoriali dhe muzeu i 11 shtatorit, te ‘Ground Zero’ të qytetit të Nju-Jorkut të vitit të kaluar. Aty patëm mundësi të bëjmë homazhe, të kujtojmë viktimat dhe të mësojmë e reflektojmë mbi të gjitha aspektet e sulmeve të asaj dite”.
“Sot jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25-të të atij sulmi”, deklaroi Kurti, raporton Klankosova.tv.
Ai tha se ky sulm ishte më vdekjeprurësi që ka përjetuar ShBA-ja ndonjëherë.
“Kosova qëndron përkrah ShBA-së, jo vetëm se ShBA-ja nuk e ka braktisur kurrë Kosovën. Ne qëndrojmë dhe gjithmonë do të qëndrojmë me Amerikën sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë dhe demokracisë, dhe vendosmëria jonë për t’i mbrojtur këto vlera, është i palëkundur”, theksoi kryeministri në detyrë.
Kurti tregoi edhe mesazhin që kishte lënë gjatë vizitës që i kishte bërë muzeut “Ground Zero” në Nju-Jork vitin e kaluar.
“Në dalje të muzeut Ground Zero, lash një shënim të thjeshtë para një viti: ‘Memory lives, freedom wins’, pra, ‘Kujtesa jeton, liria fiton’”, potencoi në fund kreu në detyrë i ekzekutivit. /Klankosova.tv