Ballkani dhe Maqedonia e Veriut përballë rrezikut nga përmbytjet këtë vjeshtë: Ngrohja e Mesdheut mund të sjellë ciklone të fuqishme





Vera që tashmë po largohet, veçanërisht në Evropën Perëndimore dhe Jugperëndimore, ishte jashtëzakonisht e nxehtë, me valë të njëpasnjëshme të të nxehtit ekstrem që shkaktuan temperatura shumë të larta.

Pikërisht për shkak të temperaturave ekstreme gjatë kësaj vere, edhe Deti Mesdhe është ngrohur ndjeshëm, gjë që mund të ketë pasoja të rëndësishme për Ballkanin gjatë kësaj vjeshte.

Ngrohja e Mesdheut rrit mundësinë e formimit të cikloneve të fuqishme, të cilat mund të sjellin sasi të mëdha reshjesh në Ballkan, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas parashikimeve, këtë vjeshtë ekziston mundësia që reshjet në Ballkan dhe në Maqedoninë e Veriut të jenë dukshëm mbi mesataren.

Një situatë e tillë mund të sjellë probleme serioze, veçanërisht nëse reshjet e dendura përsëriten në periudha të shkurtra. Shirat e rrëmbyeshëm dhe moti i paqëndrueshëm mund të shkaktojnë vërshime dhe përmbytje, si dhe probleme të tjera në zona të ndryshme të Ballkanit dhe Maqedonisë së Veriut.

Për këtë arsye, meteorologu Sllavço Poposki u bën thirrje qytetarëve që të jenë të përgatitur në kohë për dukuritë ekstreme meteorologjike që mund të shfaqen gjatë kësaj vjeshte.

Ai paralajmëron se ndryshimet e motit dhe mundësia për reshje të dendura kërkojnë kujdes të shtuar dhe ndjekje të rregullt të paralajmërimeve meteorologjike.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo