“Maskaradë për të blerë kohë”, Gjini: Po synohet që zgjedhjet të mbahen më 27 dhjetor

Кryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka akuzuar Listën Serbe se po ndihmon, sipas tij, kryeministrin në detyrë Albin Kurti për ta zvarritur konstituimin e institucioneve të Kosovës.

Pas zhvillimeve të sotme në Kuvend, Gjini e cilësoi situatën si maskaradë, dhe se qëllimi, siç tha, është fitimi i kohës deri në afatet që mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Në një konferencë për media, ai theksoi se Aleanca kishte paralajmëruar që procesi i konstituimit nuk do të përfundonte dhe se zhvillimet e sotme, sipas tij, e dëshmojnë një skenar të tillë.

Edhe kisha nisur për të gjithë ju edhe për qytetarët e Kosovës me ju thënë dy fjalë: A ju kemi thënë? A ju kemi thënë që nuk kanë me u konstituuar sot? Shihni çfarë… Kush e di për të satën herë, kush e di për të satën herë, me koordinim ose pa koordinim, Lista Serbe ka ndihmuar që Albin Kurti me e zbatuar agjendën e vet ashtu qysh i konvenon”, tha Gjini.

Ai e cilësoi situatën në Kuvend si një përpjekje për të zgjatur procesin e krijimit të institucioneve.

“Kjo që ka ndodhur sot është edhe një maskaradë. Edhe një maskaradë për me e shtyrë kohën, për me blerë kohë. Është qëllim i pastër për me blerë kohën, me e zvarritur krijimin e institucioneve të Kosovës”, u shpreh ai.

Mes tjerash, Gjini shtoi se qytetarët, sipas tij, tashmë e kanë të qartë arsyen se pse Aleanca nuk ka pranuar të bëhet pjesë e këtij procesi. Ai u bëri thirrje edhe dy partive të tjera opozitare që të mos përfshihen në atë që e quajti “maskaradë”.

“Unë po besoj që sot të gjithë qytetarët e Kosovës e kuptojnë drejt pse Aleanca nuk ka pranuar me u bërë pjesë e kësaj maskarade. Siç i kam ftuar më herët, i ftoj edhe njëherë dy partitë e tjera në opozitë me e refuzuar me u bërë pjesë e kësaj maskarade”, tha kreu i Aleancës, transmeton Klankosova.tv.

Gjini foli edhe për afatet që lidhen me zgjedhjen e presidentit dhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja. Sipas tij, zvarritja e procesit synon që të arrihen data të caktuara në mënyrë që zgjedhjet të mbahen më 27 dhjetor.

“Tash pse është kjo zvarritje? Po dua me e sqaruar qartë. Duhet me e mbërritur së paku datën 13 shtator, në mënyrë që kur kalkulohen ato 60 ditë të afatit për zgjedhjen e presidentit edhe 45 ditë deri në shkuarjen në zgjedhje, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara me e mbërritur datën 27 dhjetor”, u shpreh Gjini.

Ai ngriti pyetjen se pse, sipas tij, synohet pikërisht data 27 dhjetor, duke pretenduar se pushteti aktual ka humbur mbështetjen e qytetarëve në Kosovë.

“Tash pyetja tjetër është: pse datën 27 dhjetor? Për shkak se këta njerëz që e kanë uzurpuar pushtetin në Kosovë e kanë humbur besimin e qytetarëve që jetojnë në Kosovë”, shtoi ai.

Gjini kritikoi edhe gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke përmendur çmimet, faturat e energjisë elektrike, infrastrukturën, shëndetësinë dhe arsimin.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo