ASH – Sot po dëshmojmë edhe një herë se kur mungojnë investimet dhe zgjidhjet konkrete, pushteti përpiqet ta mbulojë dështimin me simbolikë
Ne e kundërshtojmë kategorikisht vendimin e Kryetarit të Komunës së Gazi Babës që himni i Maqedonisë së Veriut të këndohet çdo të hënë në shkollat fillore.
Sepse pyetja jonë është shumë e thjeshtë: çfarë po bëhet për nxënësit përtej himnit?
Po mbyllen shkolla, po humbin paralele, ndërsa shkolla në Hasanbeg dhe shkolla të tjera përballen me numër të madh nxënësish dhe me mungesë të kushteve elementare.
Komuna nuk investon sa duhet në infrastrukturën shkollore, në hapësira të përshtatshme, në pajisje dhe në mjedise dinjitoze për fëmijët.
Patriotizmi nuk matet me sa herë këndohet një himn. Patriotizmi matet me atë se sa investojmë në fëmijët tanë dhe sa të ardhme u ndërtojmë atyre.
Dhe një mesazh për përfaqësuesit shqiptarë të VLENit në pushtet.
Mos lejoni që benefitet e pushtetit t’ju bëjnë të harroni përgjegjësinë që keni ndaj qytetarëve shqiptarë.
Detyra juaj është të flisni për problemet e tyre dhe të kërkoni zgjidhje, jo të heshtni përballë tyre.
Arsimi ka nevojë për investime, jo për patriotizëm të rremë. Fëmijët tanë meritojnë shkolla, kushte dhe perspektivë.