“Zot fali, kaq dinë se populli s’ka për t’i falur” – Abdixhiku reagon pas deklaratave të Hotit dhe Bajramit për drejtim të partisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda LDK-së, ku Avdullah Hoti ka propozuar Kujtim Shalën për kryetar të ardhshëm të partisë, ndërsa Hykmete Bajrami ka paralajmëruar kandidaturën e saj për drejtimin e LDK-së.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka kritikuar atë që e ka cilësuar si vendosje të ambicieve personale mbi interesin e shtetit.
“S’rrotullohet shteti për një ambicie. Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së, për njëri-tjetrin. Për keqardhje!”, ka shkruar Abdixhiku.
Reagimi vjen në kohën kur brenda LDK-së janë shtuar përplasje që pas marrëveshjes me LVV-në për president, ku u propozua Bekim Sejdiu.
Hoti ka thënë se angazhimi i tij është që Kujtim Shala të zgjidhet kryetar i LDK-së, ndërsa Hykmete Bajrami të jetë bartëse e listës dhe kandidate për kryeministre.
Bajrami, ndërkaq, ka deklaruar se nëse nuk ka ndryshime pozitive dhe gara për drejtimin e partisë është e hapur dhe fer, ajo do të jetë njëra prej kandidateve për kryetare të LDK-së.
Abdixhiku ka rikujtuar edhe rolin historik që, sipas tij, LDK-ja ka pasur në politikën kosovare.