Adri Nurellari
Në kryeveprën e tij 1984, George Orwell imagjinoi një makineri totalitare që nuk kënaqej vetëm me kontrollin fizik të veprimeve të qytetarëve, por kërkonte gllabërimin e vetë laboratorit ku formësohet mendimi. Për këtë qëllim sipas tij u shpik Newspeak-u, një gjuhë artificiale, fjalori i së cilës rrudhej sistematikisht me çdo botim të ri. Logjika orwelliane ishte sa e thjeshtë, aq edhe vrastare; nëse i heq shoqërisë fjalën, i ke pamundësuar edhe formulimin e konceptin që ajo mbart. Nëse nga memorja kolektive fshihet termi “tiraní” apo “liri”, pushtetit nuk i duhet të ndëshkojë çdo mendimtar të padëshiruar sespe ai paraprakisht ka asgjësuar vetë mjetet kognitive me të cilat individi mund ta artikulojë rebelimin. Ky newspeak orwellian tashmë ka avancuar drejt një mekanizmi edhe më tinëzar që njihet si doublespeak që nuk synon thjesht t’i zhdukë fjalët për të pamundësuar mendimin, por i parfumos dhe i ambalazhon ato me eufemizma për ta mjegulluar realitetin dhe për ta bërë të papranueshmen të duket normale, të padrejtën e arsyeshme dhe të dëmshmen të dobishme.
Shqipëria e vitit 2026, kuptohet, nuk është Oqeania e Orwell-it dhe çdo barazim mekanik me kampet distopike do të ishte groteske. Në Tiranë nuk ekziston ndonjë Ministri e së Vërtetës që konfiskon fjalorët nën dritën e pishtarëve apo që dërgon policë mendimi për të censuruar fletoret. Mekanizmi ynë vendor është pafundësisht më banal, më postmodern dhe pikërisht për këtë arsye shumë më efikas sepse te ne fjalët nuk ndalohen me dekret, ato thjesht ribrendohen. Realiteti mbetet po ai, shpesh i zymtë, i rrënuar dhe i papërballueshëm, por ambalazhi i tij semantik i nënshtrohet një operacioni të pandërprerë të kirurgjisë estetike qeveritare. Porse në vend të Newspeak/ Doublespeak në Shqipëri shohim dominimin e një gjuhe të re, Rilindisht.
Ky është modeli unik shqiptar i qeverisjes, ku sa herë që plas një hall, qeveria nuk hap kutinë e veglave, por hap fjalorin. Në këtë republikë të retorikës, problemet nuk zgjidhen kurrë, ato thjesht ri-pagëzohen. Ky është shteti ku po të pikojë çatia nuk thirret ustai, por shpallet me solemnitet një “Tur Kombëtar Dëgjese për Reformën Strukturore të Pikave të Shiut”. Është regjimi ku po të bjerë nesër ndonjë meteor mbi Tiranë, qytetarët nuk kanë pse kërkojnë strehë apo ndihmë të shpejtë mjekësore, sepse qeveria do të nxjerrë me pompozitet solemn brenda 24 orëve një Roadmap Dixhital Ndërministror dhe një Memorandum Mirëkuptimi me Kraterin. Çdo krizë reale e kthesë e jetës së përditshme asgjësohet brenda një vorbulle ambalazhesh gjuhësore, duke prodhuar iluzionin e veprimit aty ku në fakt mbretëron vetëm plogështia e thellë administrative.
Gjatë trembëdhjetë viteve të tij në pushtet, talenti më i spikatur politik i Edi Ramës nuk ka qenë efiçenca institucionale, as ndonjë vizion koherent zhvillimi ekonomik, por prirja e tij e pashtershme si pagëzues suprem i realitetit. Rama ka ngritur një liturgji të vërtetë marketingu politik, ku administrata nuk administron më, por “lançon”, ku ministritë nuk ndërhyjnë teknikisht, por organizojnë “operacione”, dhe ku dështimet e bujshme nuk pranohen kurrë si paaftësi, por shpallen me patetizëm si “sfida të reja”.
Gjithçka nisi me vetë markën themeluese: “Rilindja”. Një rrotacion krejt i zakonshëm politik, një kalim stafete mes partive të vjetra e zbjerrura të tranzicionit, u ngrit semantikisht në rangun e një epoke të re profetike kombëtare. Pas saj pasoi një kaskadë e tërë zhargoni burokratik që vijon të derdhet pa pushim mbi ekranet tona: “qeveria që duam”, “Shqipëria 2030”, “task forcë, aksion, operacion, nismë, paketë, platformë, reformë, strategji, masterplan, pakt, memorandum, plan veprimi, vizion, tur kombëtar, dëgjesë, konsultim publik, roadmap…etj. etj.
Kjo listë e gjatë e pafundme nuk është thjesht një mani stilistike apo një tekë estetike e një kryeministri që njihet si i fiksuar pas formës vizuale. Për ta kuptuar thelbin e këtij regjimi diskursiv, studimet e Pierre Bourdieu janë shumë më kuptimplota sesa distopitë letrare oruelliane. Bourdieu argumentonte se pushteti i vërtetë shkon përtej policisë, gjykatave, parave apo ligjit të shkruar; sepse mbështetet thellësisht mbi atë që quhet pushtet simbolik. Termi nënkupton aftësinë ekskluzive për të imponuar kategoritë me anë të të cilave shoqëria e percepton, e ndan dhe e gjykon botën. Ai që ka të drejtën të vendosë emrat, përcakton automatikisht kufijtë e asaj që lejohet të mendohet dhe debatohet pra ka fituar një pjesë të betejës për mënyrën si ato perceptohen. Nëse arrin të imponosh kategorinë e diskutimit, e ke fituar debatin përpara se ai të ketë nisur.
Edi Rama këtë e ka kuptuar prej kohësh prandaj një nga armët më efikase të komunikimit të tij politik (nuk ka qenë vetëm elokuenca, aftësia për të argumentuar apo për të mohuar) ka qenë pikërisht aftësia për të pagëzuar. Problemeve iu vendosen emra të rinj, politikave iu ndërrohet ambalazhi, institucioneve iu shpiken etiketa, aksioneve administrative u jepen emra që tingëllojnë si produkte marketingu. Kur një favorizim i pastër klientelist dhe një falje e pasurisë publike bregdetare pagëzohet si “investim strategjik”, vetë mbiemri përmban tashmë një verdikt moral të padiskutueshëm. Fjala hamendëson se çështja lidhet me interesin e lartë kombëtar, kështu që çdo kritik që kërkon llogari detyrohet të hyjë në një grackë gjuhësore, duke u mbrojtur se përse po del “kundër diçkaje strategjike” kinse patriotike. E njëjta gjë ndodh me fjalën “reformë”. Sapo një ndërhyrje arbitrare administrative quhet reformë, kundërshtari e gjen veten të damkosur si anakronik pengues i progresit, ndërkohë që debati thelbësor do të duhej të ishte nëse ligji në fjalë sjell ndonjë përmirësim apo po shkatërron sigurinë juridike. Propaganda bëhet “komunikim”, klientelizmi bëhet “bashkëpunim”, dështimi bëhet “sfidë” ndërsa skandali bëhet “çështje për t’u sqaruar”.
Prandaj, shteti ynë sot tingëllon gjithmonë e më tepër si agjenci reklamash. Por fenomeni bëhet shumë më interesant kur kjo mënyrë të foluri del nga Kryeministria dhe hyn në redaksitë e lajmeve. Sepse media, edhe kur mendon se po raporton në mënyrë neutrale, mund të përfundojë duke përdorur pikërisht fjalorin e prodhuar nga pushteti, politika apo grupet e interesit. Dhe në atë moment nuk po transmeton vetëm informacionin. Po transmeton edhe kornizën e manipuluar tendencioneze në të cilën informacioni duhet kuptuar.
Kjo alkimi arrin majën e saj më groteske në faqet e kronikës së zezë, ku media dhe institucionet zbatojnë një proces të mirëfilltë pastrimi semantik. Kur personazhe me biografi të ngarkuara me precedentë të rëndë trafiku ekzekutohen në ndonjë atentat mafioz, ekrani nxiton t’i paraqesë me solemnitetin e paprekshëm të fjalës “biznesmen”. Nuk kemi të bëjmë thjesht me prezumimin ligjor të pafajësisë, për të cilin fjalori juridik ka terma krejt të saktë. Kategoria “biznesmen” funksionon si një fletë-lavdërimi social që pastron figurën e viktimës dhe legjitimon pasurinë e dyshimtë, duke lënë rregullisht pa përgjigje vetëm një pyetje modeste; cili qe saktësisht biznesi i biznesmenit? Me këtë ritëm, “grup i strukturuar kriminal” së shpejti do të quhet “Startup me strukturë profesionale dhe qeverisje të konsoliduar.”. Në fund vetëm viktima vazhdon të quhet viktimë se të tjerëve ua rregullon biografinë media.
Në inventarin e këtij teatri janë shtuar së fundmi edhe krijimet më të freskëta të laboratorit kryeministror; Besa, Flamingo, Pasqyra dhe Radari. Këto nuk tregojnë zgjidhje të reja, por thellimin e dëshpëruar të një pushteti që shpik emërtime të reja sa herë që i konsumohen të vjetrat. Kur shteti ligjor degradon dhe kontrata institucionale shkërmoqet nga korrupsioni sistemik, kryeministri nuk rindërton llogaridhënien para ligjit, por lançon nismën me emrin “Besa”. Ai braktis terrenin e ftohtë të së drejtës kushtetuese, ligjeve, rregullave, procedurave, institucioeve dhe zhytet në depon e folklorit për të kërkuar nënshtrim paternalist, sikur institucionet moderne të mund të zëvendësoheshin me betime kanunore të tipit “më besoni direkt mua”.
Kur qytetarët e shohin qeverinë si një trupë të mbyllur, arrogante dhe të korruptuar, shpallet platforma “Pasqyra”, e cila shet iluzionin e një vetëkorrigjimi qytetar përmes një aparati që në fakt thjesht admiron dhe zbukuron imazhin e vet të kuruar. Kur pakënaqësia mbi censurën dhe shpërndarjen e fakteve bëhet mbytëse, del “Radari” qeveritar, i cili merr përsipër të filtrojë me arrogancë se cilat janë ngjarjet reale dhe cilat duhen shpallur armiqësisht si flluska dhe dezinformim. Dhe ndoshta akti më cinik i kësaj alkimie mbetet përvetësimi i “Flamingos”. Një shpend i rrallë, i kthyer nga aktivistët dhe qytetarët në simbol të rezistencës kundër betonizimit të egër të lagunave dhe zonave të mbrojtura, rrëmbehet pa pikë turpi nga makineria e PR-it shtetëror dhe kthehet brenda natës në një markë turistike të vetë atij pushteti që po ia shkatërron habitatin natyror. Është përmbysja më e pamëshirshme e mundshme ku shkatërruesi i natyrës që vishet me pendët rozë të viktimës për të shitur kartolina marketingu.
Problemi bëhet shumë më serioz kur fjalori i pushtetit nuk mbetet më pronë e pushtetit, por depërton në gjuhën e përditshme; ku qeveria shpik termin, televizioni e transmeton, portalet e kopjojnë, analistët e normalizojnë dhe, më në fund, qytetarët fillojnë ta përdorin pa e pyetur më se nga erdhi dhe kujt i shërben. Në atë pikë, një etiketë e krijuar për ta paraqitur realitetin në mënyrën më të favorshme për pushtetin pushon së perceptuari si propagandë dhe fillon të tingëllojë si përshkrim neutral. Ky është suksesi më i madh i rebrandimit politik kur pushteti nuk ka më nevojë të të gënjejë, sepse të ka dhënë fjalët me të cilat ti gënjen veten.
Përballë këtij inflacioni termash, reagimi i shoqërisë nuk mund të jetë krijimi i një Newspeak-u paralel të opozitës. Të luftosh Rilindishten me parulla të ngjashme do të thotë thjesht të bëhesh pjesë e të njëjtit panair marketingu politik. Ilaçi i vetëm i vërtetë, përgjigjja më radikale dhe çliruese ndaj kësaj marramendjeje gjuhësore mbetet rikthimi i kuptimit të emrave. Pra në një vend të trullosur nga “reformat”, “transformimet”, “paketat”, “vizionet” dhe “strategjitë”, akti më radikal që t’ua heqësh ambalazhin fjalëve dhe t’i quash gjërat me emrin e tyre. Sepse antidoti i propagandës nuk është kundërpropaganda por saktësia.
Korrupsioni duhet të quhet korrupsion, dështimi dështim, abuzimi abuzim, krimi krim, propaganda propagandë, klientelizmi klientelizëm, nepotizmi nepotizëm, privilegji privilegj, censura censurë, paaftësia paaftësi, vjedhja vjedhje, kapja e shtetit kapje e shtetit dhe oligarku oligark. Në fund, beteja politike në Shqipëri është më e madhe se gara se kush do të trashëgojë zyrat e pushtetit. Nën të zhvillohet një betejë më e thellë se kush ka të drejtën ta përkufizojë realitetin shqiptar dhe të caktojë fjalët me të cilat ne e kuptojmë atë. Është koha t’ia grisim ambalazhin kësaj Shqipërie të rebranduar duke kuptuar që ditën kur pranojmë fjalorin e pushtetit kemi filluar, pa e kuptuar, të pranojmë edhe realitetin që ai kërkon të na shesë. Rrjedhimisht, pyetja më thelbësore është ajo që Bourdieu do ta quante betejën për sovranitetin e mendjes, mbetet krejt tjetër. A do të pranojmë të jetojmë brenda fjalorit të ambalazhuar të Ramë Pagëzimorit, apo do të kemi kurajën të çlirojmë gjuhën nga mashtrimi e maskimi dhe t’u vëmë gjërave emrin e tyre të vërtetë?