SHBA ngre alarmin/ Rusia dhe Kina forcojnë lidhjet me rebelët Huthi, në fokus armët dhe inteligjenca
Irani mbetet mbështetësi kryesor i huaj i rebelëve Huthi, por Rusia dhe Kina po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen në Uashington për shkak të lidhjeve të tyre me grupin militant jemenas.
Në një seancë më 1 shtator të Nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, ligjvënësit dhe ekspertët u përqendruan te zgjerimi i lidhjeve operative, të inteligjencës dhe të prokurimit të rebelëve Huthi me Moskën dhe Pekinin.
Seanca, e zhvilluar pasi Kongresi amerikan u rikthye nga pushimi veror, riktheu vëmendjen te rrjeti rajonal i Teheranit dhe roli në rritje i fuqive të tjera që mbështesin grupin rebel jemenas.
Rebelëtt kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit verior, përfshirë kryeqytetin Sana, pas më shumë se një dekade lufte civile kundër forcave që mbështesin Qeverinë e njohur ndërkombëtarisht. Arabia Saudite ndërhyri kundër grupit në vitin 2015, por luftimet në shkallë të gjerë u reduktuan pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2022, por pa një marrëveshje të qëndrueshme politike.
Kjo qetësi e brishtë është vënë sërish nën trysni në vitin 2026, me rebelët HUthi dhe Arabinë Saudite që kanë rifilluar sulmet e ndërsjella, teksa përplasjet më të gjera mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po përhapen edhe në Jemen dhe në Detin e Kuq. OKB-ja ka paralajmëruar për rikthim të konfliktit në shkallë të gjerë.
Ligjvënësit amerikanë e pyetën panelin se si përfshirja e Moskës dhe Pekinit në Lindjen e Mesme lidhet me një fushatë më të gjerë kundër interesave perëndimore.
Ligjvënësi Joe Wilson (republikan nga Karolina e Jugut) e paraqiti kërcënimin e rebelëve Huthi si pjesë të një sfide më të gjerë nga shtetet autoritare.
“Rebelët Huthi kanë objektiva ekspansioniste, të nxitura ideologjikisht, të cilat shtrihen përtej Jemenit”, tha Wilson, duke shtuar se grupi po ndërton rrjete me “grupe terroriste dhe kundërshtarë shtetërorë të SHBA-së, si krimineli i luftës [presidenti rus, Vladimir] Putin, dhe Partia Komuniste Kineze”.
Wilson i lidhi këto raporte me pushtimin rus të Ukrainës dhe sulmet e mbështetura nga Irani në Lindjen e Mesme.
“Ne jemi në një luftë, besoj, që nuk e zgjodhëm dhe që është një luftë e diktatorëve që qeverisin me forcën e armës, duke pushtuar demokracitë që qeverisin me sundimin e ligjit”, tha ai.
Wilson përmendi po ashtu përdorimin nga militantët jemenas të “dronëve nënujorë shumë të sofistikuar, të cilët rebelët Huthi nuk do të kishin mundur t’i zhvillonin vetë”, si dëshmi të mbështetjes së drejtpërdrejtë nga kundërshtarë të huaj.
Nadwa Al-Dawsari, eksperte për Jemenin dhe bashkëpunëtore në Institutin e Lindjes së Mesme, u tha ligjvënësve amerikanë se “ka pasur disa dëshmi se rebelët po ndërtojnë lidhje me Rusinë dhe Kinën”.
Sulmet e rebelëve jemenas ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe përreth tij janë përshkallëzuar javët e fundit, përfshirë sulmet ndaj anijeve që kalojnë në Ngushticën e Bab el-Mandebit, një pikë kyç që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit. Përshkallëzimi vjen teksa konflikti SHBA-Iran ka shkaktuar pengesa në transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, një tjetër rrugë kryesore për tregtinë globale.
Al-Dawsari iu referua raporteve se operativë rusë ndodheshin në Sana, duke ndihmuar rebelët Huthi në shënjestrimin e anijeve në Detin e Kuq “me informacione dhe mbështetje teknike”.
Ajo po ashtu iu referua vlerësimeve të zyrtarëve amerikanë se një kompani satelitore, e lidhur me ushtrinë kineze, kishte ofruar informacione të inteligjencës duke ndihmuar rebelët jemenas për sulmet ndaj luftanijeve amerikane dhe anijeve tregtare.
Al-Dawsari tha se dokumentet e Departamentit amerikan të Thesarit tregonin se armë, komponentë me përdorim të dyfishtë, si dhe pjesë për dronë dhe raketa ishin siguruar për rebelët Huthi nga Kina dhe Rusia.
Ajo tha po ashtu se të dyja fuqitë u kishin ofruar mbrojtje diplomatike në Kombet e Bashkuara, duke abstenuar në rezolutat e Këshillit të Sigurimit që dënonin sulmet detare të rebelëve jemenas.
“Pra, ekziston një raport dhe ai po evoluon”, tha Al-Dawsari, duke shtuar se partneriteti synon të zgjerojë ndikimin rus dhe kinez në rajon “në dëm të Shteteve të Bashkuara”.
Kryetari i Nënkomisionit, Mike Lawler (republikan nga Nju Jorku), e pyeti Al-Dawsarin për rrjetet ndërkombëtare që lehtësojnë sigurimin e financave dhe armëve nga grupi militant jemenas.
Duke sqaruar se nuk ishte specialiste për financimin e terrorizmit, Al-Dawsari dha një vlerësim të drejtpërdrejtë për zinxhirin e furnizimit me armë, duke thënë se “shumica e kontrabandës së armëve për rebelët Huthi kalon përmes kompanive kineze”.
Ajo i bëri thirrje Uashingtonit t’i bëjë presion Pekinit që të shënjestrojë kompanitë private kineze që lehtësojnë transferimin e armëve.
Al-Dawsari theksoi se, ndonëse sanksionet amerikane kanë goditur financat formale të grupit, rebelët jemenas ende gjenerojnë rreth 2 miliardë dollarë në vit nga tregtia e paligjshme e naftës dhe mbështeten në një “rrjet të gjerë kontrabande” për të rigjeneruar kapacitetet e tyre ushtarake.
Allison Minor, drejtoreshë e Projektit për Integrimin në Lindjen e Mesme në Këshillin e Atlantikut, tha në fjalën e saj në Kongres se sulmet ushtarake amerikane dhe izraelite “kanë kontribuar në bashkëpunimin e ri mes rebelëve Huthi dhe Rusisë”.
Por, ajo paralajmëroi se vetëm ndërhyrja ushtarake nuk do ta eliminonte kërcënimin.
“Realiteti është se rebelët Huthi lulëzojnë në një mjedis lufte, veçanërisht në një mjedis të karakterizuar nga ndërhyrja e huaj”, u tha ajo anëtarëve të panelit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të ligjvënësit Rob Zinke (republikan nga Montana) lidhur me zinxhirin komandues të grupit, Minor theksoi se ndonëse Teherani ka “ndikim të madh”, udhëheqësi i rebelëve Huthi, Abdul-Malik al-Houthi, ka fjalën e fundit sa i përket vendimmarrjes.
“Unë do të argumentoja se rebelët Hithi janë edhe më të rrezikshëm se një përfaqësues iranian”, tha Minor. “Ata kanë ambicie të mëdha dhe ndonjëherë kanë dëshmuar se janë më të pamatur në ndjekjen e këtyre ambicieve nga sa do të prisnim edhe ne”.
Ajo shtoi se aparati ushtarak dhe i inteligjencës i grupit është shumë më i fuqishëm se krahu i tij politik.
Seanca në Dhomën e Përfaqësuesve vuri në pah debatin e fortë mbi mënyrën se si Uashingtoni duhet t’i përgjigjet kërcënimit të grupit militant.
Anëtari i ri kryesor i opozitës në nënkomision, ligjvënësi Jared Moskowitz (demokrat nga Florida), i pyeti pjesëmarrësit se çfarë alternativash kishte Uashingtoni nëse ndërhyrja ushtarake dhe sanksionet ekonomike do të dështonin.
Al-Dawsari bëri thirrje për mbështetje më të madhe nga SHBA-ja dhe vendet e rajonit për forcat e qeverisë jemenase.
“SHBA-ja duhet të shqyrtojë mundësinë e armatosjes dhe trajnimit të forcave jemenase në bashkëpunim me Arabinë Saudite”, tha ajo, duke argumentuar se ndihma për forcat legjitime për të rimarrë territorin do t’u hiqte rebelëve të ardhurat, pikat e nisjes së sulmeve dhe rrugët e kontrabandës detare.
Ligjvënësi Brad Schneider (demokrat nga Ilinoisi) ngjashëm ngriti shqetësime për shmangien e një angazhimi ushtarak amerikan, duke e kufizuar në mënyrë efektive grupin.
Minor, ndërkaq, paralajmëroi kundër përfshirjes më të thellë ushtarake të SHBA-së.
“Lufta në Jemen nuk është luftë e SHBA-së dhe ne nuk duhet ta bëjmë tonën”, tha ajo duke bërë thirrje që presioni ushtarak amerikan të lidhet me një strategji më të gjerë politike, krahas angazhimit të qëndrueshëm diplomatik dhe riemërimit të një të dërguari të posaçëm amerikan për Jemenin.
Pavarësisht lidhjeve në zgjerim të rebelëve Huthi me Rusinë dhe Kinën, roli i Iranit ishte në fokus të seancës.
Al-Dawsari tha se komandantë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kishin udhëtuar në Jemen për t’i përgatitur rebelët për sulme.
“Nëse lufta me SHBA-në vazhdon dhe presioni përmes Ngushticës së Hormuzit bëhet më pak i zbatueshëm për Iranin, mund të presim që rebelët Huthi të përshkallëzojnë veprimet në Detin e Kuq”, paralajmëroi ajo./REL