Ejup Ajdini
Demokracia te ne në Ballkan erdhi 36 vite më parë, dhe mirëserdhi, e cila na gjeti të pa
përgatitur me këtë filozofi të re shoqërore- politike. Pak a shumë e kemi ditur deri diku se nuk
ishim të papërgatitur sa duhet për një sistem të ri shoqëror, por se do të kalojnë mbi tri dekada
dhe sërish do të mbetemi jashtë funksionimit demokratik, këtë nuk e kemi marrë me mend.
Në këtë drejtim çalojmë në shumë fusha të jetës, veçmas në Ballkanin Perëndimor. Kaluan
dekada e dekada dhe assesi të afrohemi me filozofinë demokratike të udhëheqësve Evropian.
Kësaj radhe po ndalemi vetëm te keqkuptimi dhe keq menaxhimi i institucioneve shtetërore
në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Që në fillimet e para të demokracisë në Maqedoninë e Veriut, si shqiptarët edhe maqedonasit,
të cilët jetojnë me një shtet të përbashkët, e kuptuan gabimisht nocionin demokraci.
Shqiptarët menduan se me ardhjen e demokracisë, me automatizëm vijnë edhe liritë njerëzore
dhe ato kombëtare, pa logjikuar se përballë kanë politikën maqedonase, e cilakoma ishtebe
brumosur me bindjet komuniste të Jugosllavisë. Nga ana tjetër, maqedonasit mendonin se tani
i kanë duart e lira dhe munden të bëjnë çka të duan me shqiptarët, pra nuk ishin fare të
pjekura politikisht, për të përkrahur mirëfilli frymën e re të demokracisë, bile edhe e rritën
dhunën dhe i mohuan edhe disa të drejta elementare që i kishin pasur shqiptarët në kohën e
Jugosllavisë socialiste. Në vija të trasha, e gjithë kjo solli edhe konfliktin luftarak midis
shqiptarëve dhe politikës maqedonase. Me këta që thamë, nuk e kemi qëllimin që të rrahim
problemin e luftës, pasi ajo është një temë më vete dhe shumë e gjerë. Tani neve na intereson
të kuptuarit gabimisht logjikën mbi institucionet shtetërore.
Në kulturat zhvilluara demokratike evropiane, institucionet janë hapësira impersonale.
Parlamentarët, kryeministri, kryetarët e komunave dhe drejtori të ndryshme janë kalimtare
dhe të shpeshta, ose një lloj administrate e përkohshme, me një mandat të paracaktuar dhe i
mandatuar nga populli, që shpesh qeveritë dhe udhëheqësit shtetërorë kanë rënë edhe para
kohe nga pushteti. Me ikjen e tyre, objektet ku punojnë dhe veprojnë këta administratorë,
sërish i mbeten shtetit, të cilat do t’i ushtrojnë njerëzit e tjerë të radhës. Pra, ato zyra dhe
objekte nuk u përkasin gjithmonë të njëjtëve njerëz… Këtë e dinë të gjithë, por te ne në
Ballkan kjo fshihet menjëherë nga memuarja dhe veprojnë sikur do të mbeten gjithmonë aty,
duke i konsideruar si objekte fizike të tyre. Për këta udhëheqës populli thotë: “sillen sikur me
e pasur mall babe”. Prandaj, ky gabim jetësor e filozofik tejet i mbrapsht dhe i pa pjekur, e
solli Maqedoninë e veriut, dhe jo vetëm, deri në këtë gjendje të mjerueshme. Kjo filozofi
primitive e solli deri te konflikti i armatosur midis dy popujve shumicë në shtet, konflikt i
cili solli varfërinë e skajshme, përveç pasurimit të politikanëve dhe disa oligarkëve të
pangopur, e cila bëri që, për 30 vite përpjekje për të hyrë në UE, sërish mbeti pa sukses dhe
shumë prapështi të tjera…
E gjithë kjo që thamë vjen si rezultat i moskuptimit të fjalës institucion shtetëror, pasi ata mbi
70 % e tyre e kanë menduar se institucioni është i tyre dhe pa fare brenge se çka i bëjnë këtij
populli dhe kësaj republike. Pastaj keqpërdorimet janë bërë dhe bëhen varg e bisht, thotë
populli. Hajdutëria nuk ka fund, nepotizmi gjithashtu, shantazhe pafund ndaj qytetarëve dhe
veçmas shtresat e ulëta as që i llogaritin se janë qytetarë të këtij vendi.
Pasi afrohen zgjedhjet e radhës, njëri thumbit, tjetri patkoit, njëri lufton ta vazhdojë pushtetin,
tjetri lufton të vije vet në pushtet dhe kësisoj, që 36 vite luhet e njëjta valle dhe tani më me
qindra e mijëra qytetarë për çdo ditë e për çdo vit e lëshojnë vendin dhe kërkojnë shpëtim në
vendet e Europës demokratike, ku trajtohen shumë më mirë se në republikën e tyre.
Tani më në Maqedoninë e Veriut ka humbur gjuha zyrtare institucionale në kuptimin
filozofik, ka humbur kuptimin logjik mbi shtetin real, mbi të drejtën e njeriut si qenie
njerëzore dhe krijohet një mjegullnajë politike me kuptime të shumta e të pa kuptueshme deri
në fund. Tani më qytetari e ka humbur kuptimin e barabartë dhe real të njeriut dhe poashtu ka
humbur kuptimi i bashkëjetesës midis komuniteteve, pasi shqiptarët gjithmonë janë në
depresion të të drejtave të tyre, bile edhe në depresion për mbijetesë. Kjo politikë ka
rrëshqitur drejtë privatizimit mbi institucionin, i cili duhet shërbyer qytetarit, por qytetari
përkulet ndaj individit, se ai është institucioni i tij dhe kështu humb në vazhdimësi dinjitetin e
tij njerëzor, kombëtar dhe moral në filozofinë e tij jetësore. Tani më shteti në formë duket
legal, por në brendësi është krejt ilegal gjatë veprimit të tij. Me këtë filozofi më nuk dihet ku
qëndron shtetërorja dhe personalja. Gjithmonë krijohet një amulli duke fajësuar partitë
politike njëra tjetrën, e cila gjë është e ngjashme, si te partitë maqedonase, ashtu edhe te ato
shqiptare.
Të gjitha detyrimet qytetari është i obliguar t’i kryej ndaj institucioneve të shtetit, pasi është
shtet, por kur këto qytetarë kanë nevojën e institucionit, atëherë duhet të gjejë individë, miq
apo përmes ryshfetit për të kryer një punë personale ose familjare. Gati se në të gjitha
dikasteret e shteti është e njëjta gjendje. Jo rastësisht qytetarët nuk u besojnë organeve të
drejtësisë, vetëm 2% e popullatës beson. Kjo tregon gjendjen reale të mosbesimit qytetar për
institucionet e shtetit në këtë republikë kaq të brishtë. Tani më qytetari e ka të vështirë të
thotë shteti im, apo institucionet e shtetit tim, pasi ai e ndjen thellë se shteti dhe institucionet
janë të individit, e jo të shoqërisë, të cilat duhet të jenë në shërbim të masës popullore. Ai nuk
i njeh si institucione të tij, por si të individit, të cilave duhet nënshtruar në forma të ndryshme.
Tani më është e vështirë të kuptohet realja dhe arealja, pasi çdo qeveri që vjen përmes votës
së popullit, lavdërohet për suksese marramendëse dhe duke sharë oponentin e tij politik.
Askush deri më sot nuk dha përgjegjësi për keqpërdorimin e institucioneve të shtetit, për
hajdutërinë milionëshe e miliardësh, për dështimet në gjyqësor, në mjekësi, në arsim, nëpër
komuna, ku pak parcela të vogla që kanë mbetu, shiten me nga një euro metër katrori dhe
qytetet janë bllokuar me beton hekur dhe pa ajër. Po marrim shembull Tetovën, e cila nuk ka
një vend ku të vihet një objekt për nevojat e qytetarëve, nuk ka një vend ku mundet të
ndërtohet një park i vogël, nuk ka asnjë hapësirë të gjelbër dhe i vetmi është një park i vogël
që menaxhohet nga udhëheqja e Xhamisë së Pashës etj.
E krejt kjo vjen se udhëheqësit tanë nuk kanë koncept real për institucionin, i cili duhet të jetë
në shërbim të qytetarëve, por ata institucionin e kanë privatizuar dhe bëjnë menaxhim të keq,
por punojnë vetëm për të mirat e tij, sa mos me thënë se bëjnë menaxhim kriminal. Kjo vjen
nga ajo se popullata e jonë ka shpirt robi dhe nuk e ka shijuar akoma lirinë, se në vendet tjera
qeveritë dridhen nga populli, kurse te ne në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë, dridhet
populli nga qeveritë e korruptuara dhe shpesh edhe kriminale…
Mendoj se është koha për një revolucion politik-kulturor në Ballkanin Perëndimor, pasi
akoma udhëhiqemi nga bindjet e mbetjeve komuniste, bile edhe me bindje të thella
shoviniste- kriminale dhe tejet antidemokratike, të cilët i mbajnë peng vlerat e sistemit të ri
demokratik.