Konjufca: LVV i ka emrat, gjasat janë të mëdha për zgjedhjen e presidentit

Numri dy i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, i ka emrat për presidentin, por refuzoi që t’i tregonte për mediat, duke argumentuar se do të humbiste kuptimi i procesit të negocimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës të udhëhequr nga Lumir Abdixhiku.

Gjatë një prononcimi për media, Konjufca tha se gjasat janë që takimi i radhës mes kreut të LVV-së, njëherësh kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Abdixhiku, të rezultojë me marrëveshje për presidentin.

Për shkak të moskonsensusit për pasardhësin e Vjosa Osmanit – mandati presidencial së cilës përfundoi në prill – Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.

LVV-ja dhe LDK-ja, pas dështimit të bisedimeve për bashkëpunim qeveritar, kanë mbajtur një takim ku kanë diskutuar për profilin e presidentit të ardhshëm dhe kanë thënë se synojnë që në takimin e radhës të dalin me emra konkretë.

“Lëvizja Vetëvendosje, unë vetëm po them, që është gati. Kryeministri [në detyrë i Kosovës] Kurti është gati. Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me juve”, tha Konjufca, duke shtuar se beson që edhe LDK së shpejti do të jetë gati për të dalë me emra konkretë.

Ai tha se me informacionet që ka, nuk ka ndonjë ftesë për takim mes Kurtit dhe Abdixhikut, por tha se sipas fjalëve të vetë kreut të LDK-së, një takim i tillë do të duhej të mbahej këtë javë.

“Prej kur LDK-ja është deklaruar që janë të gatshëm për takime dhe që tashmë është paralajmëruar se takimi i radhës do të zhvillohet në formën e propozimit të emrave konkretë lidhur me presidentin e ardhshëm, atëherë e kemi kuptuar menjëherë që ky është një shans i mirë dhe një mundësi e re. Prandaj konsideroj që ekziston një probabilitet goxha i madh që të kemi president dhe një marrëveshje për presidentin”, tha Konjufca.

Edhe nga LDK-ja një ditë më parë kanë thënë se së shpejti do të dalin me emra konkretë për presidentin.

Deri më tani, në media kanë qarkulluar disa emra për postin e presidentit. Emri i profesorit Ibrahim Berisha dhe i ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës në vitin 1990, Ilaz Ramaji, u përmendën, por që të dy mohuan përfshirjen në proces. Po ashtu është përmendur edhe emri i ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ndërkaq, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi për president.

Thaçi gjendet në paraburgim në Hagë duke pritur vendimin – që shpallet më 16 shtator – në rastin kundër tij dhe ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkaq, ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, ka propozuar që president të bëhet Faton Bislimi, nga radhët e LDK-së.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor. Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri.

LVV-ja kërkon një president konsensual, ndërkaq LDK-ja po ashtu kërkon që kreu i ri i shtetit të mos jetë i lidhur me ndonjë parti politike.

Partia e Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e fundit dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në për çështjen e presidentit, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë./REL

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo