Daçiq thotë se Serbia ka arrestuar një të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Serbia ka arrestuar një person nën dyshime për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë më 1999, tha ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq.

I arrestuari, ndaj të cilit është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, është identifikuar me inicialet D.M., 47 vjeç. Sipas Daçiqit, ai është arrestuar në pikën kufitare të Batrovcit.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se ai e ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në dëm të anëtarëve të dy familjeve, gjatë qershorit të vitit 1999, në fshatin Bec, në komunën e Gjakovës”, tha Daçiq përmes një njoftimi.

Ndonëse Daçiq e identifikoi të arrestuarin vetëm me iniciale, një ditë më parë, avokati nga Kosova, Arianit Koci, njoftoi se autoritetet serbe kishin ndaluar Dugagjin Maxhunin nga Beci i Gjakovës, i moshës 47-vjeçare.

Sipas tij, ai u ndalua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë, dhe pas disa orësh verifikim, familjarët janë njoftuar se ai është transferuar në Beograd dhe se procedurat ndaj tij ishin duke vazhduar.

Daçiq tha se ndaj D.M. fillimisht u caktua masa e ndalimit prej 48 orësh dhe kallëzimi penal ndaj tij më pas u dërgua në Prokurorinë serbe për Krime Lufte.

“Bazuar në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd – Departamenti për Krime Lufte, atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh”, tha Daçiq.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo