Mickoski: Aeroportet maqedonase janë me rritjen më të shpejtë në rajon, turizmi po jep rezultate





SHKUP – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se dy aeroportet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut janë aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon për nga numri i udhëtarëve, duke e cilësuar këtë si rezultat të politikave të zbatuara nga Qeveria gjatë 25 muajve të fundit informon Tetovasot.

Deklarata u bë gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve për financimin e ndërtimit të hekurudhës Kriva Pallankë – pika kufitare Deve Bair, projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes WBIF, si dhe nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).

“Dy aeroportet tona janë më të shpejtët në rajon sa i përket rritjes së numrit të pasagjerëve. Këtë e konfirmojnë operatori i aeroporteve, Ministria e Transportit, por edhe Banka Botërore në analizat për turizmin”, tha Mickoski.

Ai theksoi se rritja nuk është më simbolike, por arrin në 20, 30 dhe madje 40 për qind gjatë shtatë muajve të parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Mickoskit, këto rezultate janë dëshmi se masat e ndërmarra nga Qeveria kanë filluar të japin efekt dhe se turizmi mbetet një nga prioritetet kryesore të ekzekutivit.

“Këto rezultate na motivojnë të vazhdojmë në të njëjtin drejtim. Turizmi është një nga prioritetet tona dhe shenjat pozitive tashmë janë të dukshme në të gjithë vendin, veçanërisht në qendrat turistike”, deklaroi kryeministri.TS

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo