Richard Grenell, bashkëpunëtori i Trumpit, ishte të mërkurën në Shkup – vetë publikoi një video

Videoja që publikoi Grenell në Instagram është xhiruar nga katet e sipërme të ndërtesës “Adora Flatiron” në lagjen Kisella Vodë të Shkupit

Grenell pati një takim privat me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Punëve të Jashtme Timço Mucunski, konfirmuan nga Qeveria për “360 Stepeni”.

Richard Grenell, i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme, publikoi në Instagram një video të xhiruar nga katet e larta të një ndërtese, prej nga shihet panoramikisht një pjesë e madhe e Shkupit.

Në përshkrimin e videos ai shkroi shkurt: “Shkupi, Maqedonia, është një qytet i bukur.” Kjo lë të kuptohet se ai ishte ose ka qenë për vizitë në kryeqytetin e Maqedonisë.

Sipas pamjeve dhe panoramës që shihen në video, ajo është xhiruar nga ballkoni i objektit banesor dhe afarist “Adora Flatiron” në lagjen Kisella Vodë të Shkupit.

Nga Qeveria thanë për “360 Stepeni” se Grenell më 29 korrik 2026 kishte qëndruar në Shkup për një vizitë private dhe gjatë qëndrimit zhvilloi një takim privat me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski.

“Ambasadori Grenell më 29 korrik 2026 qëndroi në Shkup për një vizitë private. Gjatë qëndrimit të tij u realizua një takim privat me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, i cili u mbajt në selinë e VMRO-DPMNE-së dhe ishte vazhdim i marrëdhënieve miqësore dhe komunikimit të ndërsjellë”, deklaruan nga Qeveria, transmeton TS.

Nuk ka informacione nëse gjatë takimit është biseduar për tema konkrete politike apo ekonomike-investuese me interes të përbashkët, siç ishte përmendur më herët projekti energjetik “Çebreni”.

Richard Grenell, i cili konsiderohet një nga njerëzit më të afërt të presidentit amerikan Donald Trump, gjatë periudhës së fundit ka zhvilluar disa takime me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin Timço Mucunski.

Në shkurt të këtij viti ata u takuan në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku diskutuan për marrëdhëniet strategjike mes Maqedonisë dhe SHBA-së.

Mickoski u takua me Grenell edhe gjatë vizitës së tij në SHBA në janar të vitit 2025, me rastin e inaugurimit të presidentit Donald Trump. Sipas Mickoskit, ata diskutuan për sfidat me të cilat përballet Maqedonia në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Grenell kishte vizituar Maqedoninë edhe në gusht të vitit 2024. Më parë, në takimin e zhvilluar në Uashington më 8 korrik 2024, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe ministri Timço Mucunski, u diskutuan mundësitë për investime të përbashkëta strategjike në rajon, përfshirë mundësinë e pjesëmarrjes amerikane në projektin energjetik “Çebreni”, i cili konsiderohet me rëndësi strategjike për pavarësinë energjetike të vendit.

Karriera politike e Grenell lidhet me fillimin e viteve 2000, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Ai punoi si zëdhënës në misionin e SHBA-së në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, edhe gjatë kohës kur misionin e drejtonte John Bolton, i cili më vonë u bë këshilltar për sigurinë kombëtare i Donald Trump.

Gjatë administratës së Barack Obamës, Grenell themeloi një kompani për shërbime komunikimi me projekte në Kenia, Kongo, Moldavi dhe Afganistan. Në vitin 2016 ai u bë komentator në televizionin Fox News, i cili mbështeti hapur kandidaturën e parë të Trump për president.

Me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Grenell u emërua fillimisht ambasador i SHBA-së në Gjermani, e më pas i dërguar special për Ballkanin. Gjatë këtij mandati u përfol edhe skenari për shkëmbim territoresh ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si mënyrë për zgjidhjen e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, ndonëse kjo u mohua zyrtarisht nga SHBA-ja.

Në vitin 2020, Grenell u emërua ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, duke koordinuar punën e 17 agjencive amerikane të inteligjencës.

Pas fitores së dytë zgjedhore të Donald Trump, emri i tij u përmend si kandidat për poste të larta në administratë, madje edhe për funksionin e sekretarit të shtetit, por këto spekulime nuk u realizuan.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo