Dega e BDI-së në Tetovë ka reaguar publikisht duke ngritur shqetësime lidhur me rritjen e ndjeshme të shpenzimeve të Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” për kompaninë Saubermacher.
Sipas të dhënave të publikuara nga BDI, gjatë vitit 2024 NPK “Tetova” ka evidentuar shpenzime në vlerë prej 722 mijë denarësh, ndërsa në vitin 2025 kjo shumë është rritur në 7.842.843 denarë, ose më shumë se dhjetëfish brenda një viti.
Në reagimin e saj, BDI shtron disa pyetje publike, duke kërkuar transparencë nga drejtuesit e ndërmarrjes dhe autoritetet komunale.
“Pse ndodhi kjo rritje drastike? Mbi çfarë kontrate u bazuan këto pagesa? Mbi çfarë baze u llogarit tarifa prej 5 për qind? Dhe a i janë paguar vërtet Saubermacherit 7.842.843 denarë?”, thuhet në reagim.
BDI thekson se qytetarët kanë të drejtë të dinë se si shpenzohen mjetet publike dhe kërkon sqarime të plota për mënyrën e realizimit të këtyre pagesave.
“Qytetarët meritojnë përgjigje se ku përfundojnë milionat e mbledhura nga taksat dhe tatimet e tyre”, përfundon reagimi i Degës së BDI-së në Tetovë.