SHBA-ja do të fitojë miliarda dollarë pasi nënshkroi marrëveshje bërthamore me Arabinë Saudite





​Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me Arabinë Saudite, e cila do t’i mundësojë këtij vendi të zhvillojë një program civil bërthamor, ku do të marrin pjesë edhe kompani amerikane. Teksti i marrëveshjes nuk u bë publik, mirëpo mediat amerikane raportuan se ai do t’i lejojë Arabisë Saudite të pasurojë uranium në të ardhmen.
​Ekspertët shprehen se kjo krijon një rrezik për përhapjen e ardhshme të armëve bërthamore (proliferim) në një rajon tashmë të paqëndrueshëm.

​Departamenti i Energjisë i SHBA-së deklaroi se përveç marrëveshjes së bashkëpunimit, është nënshkruar edhe një „marrëveshje dypalëshe për masa mbrojtëse“. Kjo është hera e parë që SHBA-ja ndihmon një vend tjetër të pasurojë uranium në territorin e vet.

​„Këto dy marrëveshje vendosin bazën ligjore për një partneritet dekadash me vlerë prej shumë miliarda dollarësh, i cili avancon disa synime prioritare ekonomike dhe strategjike, përfshirë edhe mospërhapjen e armëve bërthamore“, thuhet në deklaratë.
​Njoftimi vjen mes shkallëzimit të luftës në Iran, të cilën SHBA-ja e nisi në shkurt për ta parandaluar atë nga zhvillimi i armëve bërthamore.

​Marrëveshja mund të vlejë miliarda dollarë për SHBA-në, kompanitë e së cilës do të përfshihen në ndërtimin e një impiantit për prodhimin e uraniumit të pasuruar. Ky i fundit mund të përdoret si karburant për centrale elektrike, por gjithashtu edhe për bomba atomike.

​Ekspertët bërthamorë dhe ish-zyrtarë izraelitë kanë shprehur shqetësimin se në fund, Arabia Saudite mund të zhvillojë armë bërthamore, megjithëse kjo ndoshta do të kërkonte dekada të tëra.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo