Arben Zeqiri në mbështetje të Rami Mislimit: “Mos u koritni kot, sot s’ka gazetar që frikësohet nga kërcënimet!!
Gazetari Arben Zeqiri ka reaguar në mbështetje të gazetarit Rami Mislimi, duke dënuar çdo formë kërcënimi apo presioni ndaj gazetarëve dhe duke theksuar se sulmet nuk mund ta ndalin punën e mediave.
Në reagimin e tij publik, Zeqiri, duke iu referuar përvojës së tij 17-vjeçare në gazetari, shprehet se kërcënimet dhe ofendimet nuk e kanë lëkundur asnjëherë në profesion, por shqetësimi më i madh mbetet ndikimi që ato mund të kenë te familjet e gazetarëve.
“Si gazetar në 17 vitet e karrierës sime, kërcënimet dhe ofendimet kurrë s’më kanë tunduar, por familjen ma kanë shqetësuar. Njëjtë edhe sulmet verbale ndaj gazetarit Rami Mislimi e di se nuk e tundojnë atë, por solidarizohem me familjen e tij që mund të jenë shqetësuar”, ka shkruar Zeqiri.
Ai ka përcjellë një mesazh për politikanët që përdorin gjuhë kërcënuese apo fyese ndaj gazetarëve, duke theksuar se një qasje e tillë dëmton më shumë autorët e saj.
“Mos u koritni kot, sot s’ka gazetar që frikësohet! Shumë të dobët e qesharak dilni edhe para njerëzve tuaj”, është shprehur gazetari.
Në fund të reagimit të tij, Arben Zeqiri ka shprehur solidaritet me Rami Mislimin dhe me kolegët e tij gazetarë, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së medias.