Nënkryetari i PDSH-së, Ylber Idrizi: “Kërcënimet ndaj Rami Mislimit dhe familjes së tij janë të papranueshme”
Nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ylber Idrizi, ka reaguar pas raportimeve për kërcënime ndaj gazetarit dhe pronarit të portalit “TetovaSot”, Rami Mislimi, duke dënuar ashpër çdo formë presioni ndaj gazetarëve.
Idrizi thekson se kërcënimet ndaj gazetarëve dhe përfshirja e familjarëve të mitur në situata të tilla përbëjnë shkelje të rëndë të etikës njerëzore dhe normave demokratike.
“Kërcënimet ndaj gazetarëve dhe veçanërisht përfshirja e familjarëve të mitur në këto skenarë të ulët, janë të papranueshme, të dënueshme dhe në kundërshtim të plotë me etikën njerëzore dhe normat demokratike të një shoqërie të lirë”, ka shkruar nënkryetari i PDSH-së.
Ai ka shprehur indinjatën e tij lidhur me raportimet për kërcënime me jetë dhe fyerje të rënda ndaj gazetarit Rami Mislimi dhe familjes së tij, duke kërkuar reagim serioz institucional.
Reagimi i Ylber Idrizit vjen në një kohë kur shumë figura publike kanë dënuar çdo formë kërcënimi ndaj gazetarëve, duke theksuar se liria e medias dhe siguria e gazetarëve janë vlera themelore të një shoqërie demokratike.