Arbër Ademi reagon pas kërcënimeve të Rami Mislimit: “Përfshirja e fëmijës së gazetarit në kërcënimin e një zyrtari komunal është akt i turpshëm”
Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar pas pretendimeve për kërcënime dhe fyerje ndaj gazetarit Rami Mislimi, duke e cilësuar rastin si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe parimeve demokratike.
Në reagimin e tij publik, Ademi thekson se sulmi ndaj një gazetari nuk është vetëm një çështje individuale, por prek të drejtën e qytetarëve për t’u informuar dhe vetë themelet e demokracisë.
“Sulmi ndaj Ramiut, por edhe ndaj çdo gazetari, kushdo qoftë ai, përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë dhe vetë themeleve të demokracisë. Në një shoqëri demokratike, gazetari nuk është armik, por zëri i së vërtetës dhe mbrojtësi i interesit publik”, ka shkruar Ademi.
Ai shprehet veçanërisht i shqetësuar me pretendimet se sulmet kanë ardhur nga një përfaqësues i një institucioni publik.
“Edhe më shqetësuese dhe e papranueshme është kur këto sulme vijnë nga përfaqësues të institucioneve shtetërore. Një zyrtar komunal, i cili duhet të jetë shembull i përgjegjësisë dhe etikës publike, ka zgjedhur të ofendojë një gazetar, duke përfshirë në mënyrë të turpshme edhe familjen e tij, konkretisht fëmijën”, thekson sekretari i përgjithshëm i BDI-së.
Reagimi i Arbër Ademit vjen në mesin e reagimeve të shumta publike që kanë dënuar çdo formë kërcënimi ndaj gazetarëve dhe përfshirjen e familjarëve në përplasjet publike. Pretendimet e ngritura mbeten objekt i trajtimit nga institucionet kompetente.