Një tjetër emër shqiptar po ngjitet në majat e suksesit ndërkombëtar. Jon Abdullahi, vetëm 15 vjeç, nga fshati Sllatinë i Tetovës, ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm në Olimpiadën Ndërkombëtare të STEM-it, duke u renditur mes nxënësve më të mirë në botë, raporton Tetovasot.
Në një garë ku morën pjesë mbi 2.000 nxënës nga 54 shtete, Joni dëshmoi talentin dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë, programimit dhe inteligjencës artificiale, duke fituar plot tre medalje.
Rezultatet e tij janë mbresëlënëse:
Vendi i Parë në Botë në kategorinë AI Prompt Engineering
Medalja e Artë në Programim (Coding)
Medalja e Bronzit në Science
Siç raporton Tetovasot, ky sukses e rendit Jon Abdullahin ndër talentet më premtuese të brezit të ri në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, duke ngritur lart emrin e Sllatinës, Tetovës dhe të gjithë shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.
Pas këtij rezultati qëndrojnë vite pune, përkushtimi dhe dashuria e tij për programimin, inteligjencën artificiale dhe shkencën. Edhe pse vetëm 15 vjeç, Joni tashmë konsiderohet një prej talenteve më të spikatura shqiptare në disiplinat STEM.
Tetovasot i uron Jon Abdullahit suksese edhe më të mëdha në garat ndërkombëtare dhe rrugëtimin e tij drejt majave të teknologjisë botërore. Ky është një sukses që frymëzon të gjithë të rinjtë shqiptarë se me dije, punë dhe përkushtim mund të arrihet çdo majë.