Karamuço: Ambasadorit Meidani tentuan ti futen në shtëpi persona me maska në Shkup, ia helmuan edhe…
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka dhënë detaje mbi ndalimin e deputetëve nga Maqedonia e Veriut në pikën kufitare të Qafë Thanës, duke deklaruar se masa nuk lidhet drejtpërdrejt me protestat në Shqipëri, por me dyshime të ngritura prej kohësh nga institucionet shqiptare për aktivitet ekstremist.
Sipas Karamuços, personat në fjalë kanë qenë në vëmendje të autoriteteve shqiptare dhe për një prej tyre ekzistojnë dyshime se financohet nga vende që ai i cilësoi “jo mike” me Shqipërinë.
“Ky nuk është rasti i parë. Këta persona janë paralajmëruar herë pas here nga institucionet tona për veprimtarinë e tyre. Për një prej tyre dyshohet se merr financime nga disa vende jo mike me Shqipërinë për të aktivizuar elementë ekstremistë në Maqedoninë e Veriut. Janë elementë që kanë ardhur dhe kanë qenë pjesë e protestave në Shqipëri. Dy herët e fundit disa prej tyre janë shpallur edhe ‘non grata’, madje njëri prej tyre kishte edhe pasaportë amerikane”, tha Karamuço në emisionin “Real Story”.
Ai theksoi se, sipas informacioneve që disponojnë institucionet, aktiviteti i këtyre personave lidhet me rrjete të financuara nga Lindja e Mesme.
“Nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me protestën, por me aktivitetin e vazhdueshëm të disa elementëve ekstremistë fetarë në Maqedoninë e Veriut, të financuar me para të dyshimta nga Lindja e Mesme, të cilat depozitohen në disa shoqata atje. Bëhet fjalë për persona që konsiderohen rrezik real dhe që prej kohësh monitorohen nga institucionet shqiptare”, u shpreh ai.
Karamuço ngriti shqetësime edhe për klimën ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke përmendur sulme ndaj përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë.
“Ndërkohë që këta vijnë dhe angazhohen në Shqipëri, duhet të shohin se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut po nëpërkëmbet prej kohësh dhe nuk pashë askënd të protestonte për këtë. Po ashtu ekziston një frymë urrejtjeje ndaj përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë. Këto janë çështjet që duhet të na shqetësojnë të gjithëve”, deklaroi ai.
Eksperti solli si shembull edhe një incident të ndodhur së fundmi në Shkup.
“Para disa javësh tentuan të hynin në banesën e ambasadorit tonë në Shkup, i helmuan qenin dhe më pas shkatërruan makinën e Ambasadës shqiptare në mes të Shkupit, gjatë një takimi zyrtar. Edhe pse automjeti mbante flamurin shqiptar, ai u sulmua nga persona të maskuar. Këto janë zhvillime serioze dhe nuk mund të injorohen”, theksoi Karamuço.