Trump kërcënon: Ka mbaruar, do ta godasim Iranin fuqishëm sonte

Presidenti amerikan Donald Trump e ka shpallur të përfunduar armëpushimin me Iranin, pasi mbrëmë të dyja palët shkëmbyen përsëri zjarr në Ngushticën e Hormuzit. Duke i quajtur mashtrues, Trump nga samiti i NATO-s në Ankara porositi se negociatat me regjimin iranian janë humbje kohe, ndonëse pak më vonë tha se do t’i lejojë negociatorët të vazhdojnë bisedimet.

​„Mendoj se ka mbaruar. Nuk dua të kem më asgjë të bëj me ta. Ata janë plehra, a e dini çfarë janë plehrat? Ata janë plehra, janë njerëz të sëmurë, të udhëhequr nga njerëz të sëmurë dhe janë njerëz të ligj e të dhunshëm. Po të kishin armë bërthamore, do t’i përdornin. Sa më takon mua, ka mbaruar“, deklaroi Trump.

​Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi herët sot në mëngjes se ka sulmuar 80 objektiva të ushtrisë iraniane, marinës dhe Gardës Revolucionare, pasi iranianët sulmuan tre kargo-anije (tankerë) në Ngushticën e Hormuzit. Teherani njoftoi se si përgjigje ndaj kësaj, ata kanë kryer sulme mbi bazat amerikane në Kuvajt dhe Bahrein.

​Se sulmet ishin të arsyetuara e konsideron edhe Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, sipas të cilit, Republika Islamike e ka shkelur vazhdimisht armëpushimin.

​„Mendoj se kjo ishte absolutisht e nevojshme, sepse kishte një armëpushim dhe Irani po e shkelte atë. Pamë se çfarë ndodhi dje me sulmet ndaj anijeve, mendoj se ishte absolutisht vendimtare që SHBA-ja të reagonte me forcë“, theksoi Rutte.

​Kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbejnë zjarr që nga shpallja e armëpushimit dhe fillimi i negociatave, por është hera e parë që Trump, i zemëruar, e shpall të vdekur të gjithë procesin.
​Rundi i fundit i negociatave u mbajt javën e kaluar në Katar, ku nuk u arrit asnjë përparim. Ky eskalim erdhi pasi presidenti amerikan, para mbërritjes në Ankara, tërhoqi licencën që u lejonte iranianëve të shisnin naftë, gjë që ishte pjesë e marrëveshjes kornizë të arritur muajin e kaluar.

​Rreth 50.000 ushtarë amerikanë dhe dy grupe luftarake detare do të mbeten të dislokuara në rajon, të paktën deri në fund të verës, njoftoi Pentagoni, duke injoruar rezolutën e miratuar më parë në Kongresin amerikan për përfundimin e veprimeve luftarake kundër Iranit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo