Nuk ka marrëveshje për Kodin Zgjedhor! VMRO me propozim të ri

As pas takimit të sotëm të koordinatorëve të grupeve parlamentare nuk ka marrëveshje për Kodin Zgjedhor. Nga VMRO-DPMNE kanë propozuar që opozita të arrijë një qëndrim të përbashkët për të gjitha kërkesat e saj, duke përfshirë edhe votimin e diasporës, dhe e gjithë kjo do t’u pranohet.

“Le të ulen e të merren vesh për një njësi zgjedhore, le të ulen e të merren vesh për modelin e financimit, le të ulen e të merren vesh për ankesat dhe mënyrën se si ato do të ishin të pranueshme, dhe le të ulen e të merren vesh mes tyre madje edhe për modelin e deklarimit, përkatësisht votimit të diasporës. Gjithçka që këto parti opozitare do të na ofrojnë përmes një teksti të harmonizuar të ligjit, ne do ta pranojmë”, tha Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE.

Nga VLEN këmbëngulin që partitë të merren vesh që diaspora të mund të votojë.

“Për ne si VLEN është e rëndësishme që diaspora të ketë mundësi të votojë, pavarësisht nëse përmes votimit elektronik apo me postë, por ato të jenë forma të sigurta, transparente dhe të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha Bekim Qoku – koordinator i VLEN-it.

Nga LSDM thonë se nuk janë kundër votimit të diasporës, por kundër modelit të pushtetit, i cili sipas tyre lë hapësirë për keqpërdorime zgjedhore. Prej atje thonë se nuk ka nevojë për nxitim dhe se ka mjaft kohë deri në zgjedhje për harmonizimin e ligjit.

“Fillimisht ishte votimi elektronik. Pasi kjo nuk u kaloi, kaluan te votimi me postë. Të dy modelet janë sipas masës së tyre për vjedhjen perfekte të votave. Këto dispozita duhet të fillojnë të zbatohen në zgjedhjet e vitit 2029”, tha Jovana Trençevska – LSDM.
Nga BDI thonë se arsyeja pse nuk ka marrëveshje për Kodin Zgjedhor është se VMRO-DPMNE është tërhequr nga ajo që ishte dakorduar më parë në grupin e punës, version të cilin BDI e kishte nënshkruar. Nga partia thonë se për çdo marrëveshje nevojitet konsensus ndëretnik dhe ndërpartiak.

“Pas dorëzimit të propozimit në Kuvend, VMRO-DPMNE u tërhoq nga dy pika thelbësore të marrëveshjes. Së pari, nga votimi elektronik i diasporës, duke kërkuar që votimi të zhvillohet me postë. Njëkohësisht mbetemi fuqishëm në qëndrimin tonë se shtetit i nevojitet një njësi zgjedhore, por me lista të hapura për deputetë dhe me prag zgjedhor prej 5%”, tha Rina Ajdari – koordinatore e BDI-së.
Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, vlerësoi se është më e nevojshme të diskutohet për listat e hapura.

“I ftojmë të gjithë aktorët politikë që t’i pranojmë listat e hapura dhe kjo të mos mbetet vetëm në deklarata. Çdo aktor politik, të gjithë pretendojnë se janë për lista të hapura, por sot jeni dëshmitarë se cilët janë ata aktorë që nuk janë për lista të hapura, deklaroi Zijadin Sela – LIDHJA SHQIPTARE.

Nga Levica, të cilët kërkonin shfuqizimin e reklamimit politik me pagesë, thonë se kjo kërkesë nuk u është pranuar. Ata konsiderojnë se prioritet më i madh është të arrihet marrëveshje për një njësi zgjedhore.

“Mendojmë se, nëse për diçka duhet të negociojmë, të përplasen qëndrimet dhe të thyhen shtizat, atëherë kjo duhet të jetë rreth një njësie zgjedhore e jo për avancimin e sistemit të votimit të diasporës, sepse kjo çështje u shfaq krejt papritur vetëm në dy ose tre takimet e fundit të grupit të punës për Kodin Zgjedhor”, tha Borisllav Kërmov – LEVICA.

Për momentin mbetet e paqartë se kur dhe nëse do të vazhdojë harmonizimi i dallimeve rreth Kodit Zgjedhor, pasi nuk ka njoftime për një takim të ri mes palëve.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo