Rama për Zvërnecin: Nuk mund t’i them jo 4 miliardë eurove

Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për televizionin publik gjerman “ZDF” ka folur për projektin në Zvërnec, protestat dhe politikën.

Siaps tij projekti në Zvërnecë është një investim prej katër miliardë eurosh, të cilës Shqipëria nuk mund t’i thotë jo.

Sa i përket protestave, Rama theksoi se ka dy anë të medaljes, nga njëra anë janë qytetarët e thjeshtë të cilët kanë shumë arsye për të dalë në shesh dhe i mirëkupton, në anën tjetër janë organizatorët.

Prej më shumë se një muaji, çdo mbrëmje zhvillohen protesta në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Shkaku i protestave është një resort luksoz i planifikuar në lagunën e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit. Pas projektit qëndron, ndër të tjera, kompania investuese e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trumpit. Mbrojtësit e mjedisit kanë frikë nga ndërhyrje të rënda në një zonë unike të mbrojtur për shpendët dhe ligatinat.

Ndërkohë, protestat nuk drejtohen më vetëm kundër projektit të ndërtimit, por edhe kundër korrupsionit, mungesës së transparencës dhe kundër kryeministrit aktual, Edi Rama. Ish-artisti, ish-kryebashkiaku i Tiranës dhe ish-lojtari i kombëtares së basketbollit i hedh poshtë këto akuza.

Në intervistë, Rama flet për protestat, konfliktin mes politikës, mbrojtjes së natyrës dhe investimeve, si dhe për rrugën e vendit të tij drejt Bashkimit Evropian.

ZDFheute: Zoti kryeministër, ne do të donim të kuptonim se si është struktura dhe cilat janë planet e investitorëve që synojnë të ndërtojnë një resort pushimi në Zvërnec, pranë lagunës. Deri tani nuk është plotësisht e qartë se kush janë investitorët dhe çfarë roli luan shteti. A mund të na e sqaroni?

Edi Rama: Nuk e di se çfarë informacioni keni, por ka disa përgjigje të thjeshta. Së pari: bëhet fjalë për pronë private. Së dyti: prona private në Shqipëri zhvillohet përmes marrëveshjes mes pronarëve dhe investitorëve të mundshëm. Së treti: ende nuk ka një plan, sepse bëhet fjalë për një proces në të cilin agjencitë tona shtetërore kanë vepruar me shumë, shumë kujdes, për t’u siguruar që plani do të respektojë një sërë rregullash dhe standardesh që janë të rëndësishme për ne. Nuk e di se çfarë keni zbuluar ju.

ZDFheute: Sa i përket rolit të shtetit, ne kemi zbuluar se ju keni ndryshuar disa ligje që kanë lehtësuar mbrojtjen e natyrës. Ju e keni zvogëluar zonën e mbrojtur për të ndërtuar një aeroport. Gjithashtu keni lejuar ndërtime në këtë zonë, e cila më parë ishte e mbrojtur. Kritikët thonë se në këtë mënyrë ju i keni lehtësuar investimet dhe, për këtë arsye, sigurisht që luani një rol si aktor shtetëror.

Rama: Nuk ka pasur asnjë ndryshim për të krijuar mundësi ndërtimi në zonën e mbrojtur, ku nuk lejohet të ndërtohet asnjë lloj ndërtese. Këto zona të mbrojtura kanë një status të veçantë në Shqipëri. Mbrojtja e zonave të ndryshme bazohet në kategoritë e Bashkimit Evropian dhe në parimin e praktikave më të mira. Kjo do të thotë se jo të gjitha zonat gëzojnë të njëjtin nivel mbrojtjeje ndaj ndërhyrjeve dhe zhvillimit; ka dallime mes tyre.

ZDFheute: Por pikërisht në qendër të zonës së mbrojtur natyrore kanë filluar punimet e ndërtimit vetëm pak javë më parë. Edhe pse ju thoni se deri tani ka vetëm plane dhe nuk ka ende një leje zyrtare ndërtimi për të filluar punën. Kjo ka të bëjë me qendrën e lagunës; ne kemi qenë atje.

Rama: Nuk ka leje ndërtimi në atë zonë. Nga ana tjetër, bazuar në ligjin shqiptar, prona private mund të rrethohet. Nëse ekziston një leje paraprake për të filluar punët përgatitore, përfshirë edhe një vlerësim të ndikimit në mjedis.

ZDFheute: Por si mund të fillojnë punët e para, siç thoni ju, kur të drejtat e pronësisë nuk janë të qarta? Siç e dini, Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka anuluar të paktën në dy raste fitimin e të drejtave të pronësisë dhe i ka kthyer çështjet për rigjykim në shkallën më të ulët.

Rama: Pretendime mund të ketë kushdo, por që një pretendim të shndërrohet në një të drejtë ligjore, duhet të konfirmohet nga një gjykatë. Dhe ndërkohë, një pretendim nuk mjafton për të ndaluar gjithçka derisa gjykata të vendosë ndryshe, sepse edhe agjencitë tona shtetërore punojnë mbi bazën e dokumenteve, jo mbi bazën e pretendimeve. Për sa kohë titulli i pronësisë nuk ju përket juve, nuk mund të pretendoni që prona të mos zhvillohet vetëm sepse ende nuk është e juaja.

ZDFheute: Por a nuk jeni ju, si kryeministër, përgjegjës për transparencën politike?

Rama: Transparenca është aq e dukshme. Është aq e lehtë për t’u parë, por nëse dikush nuk dëshiron ta shohë, atëherë, sigurisht, ajo bëhet e padukshme. Si kryeministër i këtij vendi, unë nuk ju tregoj përralla. Jeni ju që tregoni përralla. Ka kërkesa nga autoritetet shqiptare për të respektuar rregullat dhe për të vlerësuar pasojat mjedisore. Kjo histori bazohet në fakte. Pjesa tjetër bazohet në interpretime.

ZDFheute: Kjo do të thotë se ju do ta vazhdoni projektin?

Rama: Ne nuk mund t’i themi thjesht jo një investimi prej më shumë se katër miliardë eurosh. Dhe nëse rezultati përfundimtar do të jetë zhgënjyes, atëherë nuk do të vazhdojmë me të.

ZDFheute: Ndërkohë kjo çështje ka marrë edhe një dimension politik. Çdo ditë shqiptarët protestojnë në rrugë kundër projektit në lagunë, kundër mungesës së transparencës dhe korrupsionit; ata e quajnë këtë “Revolucioni i Flamingove”. Si i përballoni këto protesta?

Rama: Ata protestojnë sepse kanë të drejtë ta bëjnë këtë dhe sepse kanë shqetësimet dhe arsyet e tyre. Ata kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, të protestojnë, të kritikojnë dhe edhe të jenë kundër meje. Siç e shihni, Zvërneci tani nuk është më në qendër të protestave. Kjo temë ka javë që është zhdukur nga axhenda. Flamingot kanë mbetur si simbol – sepse janë një simbol i fuqishëm – por njerëzit kanë shumë arsye të ndryshme për të dalë në rrugë. Dhe unë i kuptoj ata. Nuk e kam fjalën për ta. Lëvizja protestuese përbëhet nga dy pjesë. Nga njëra anë janë qytetarët krejtësisht të zakonshëm. Ata i trajtoj me respekt të madh dhe përpiqem të kuptoj se çfarë i shqetëson. Nga ana tjetër janë organizatorët, ata që tërheqin fijet, ata që i drejtojnë dhe i kontrollojnë këto protesta. Pikërisht këtyre njerëzve u referohem kur flas për “predikime”. Këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme./vizionplus

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo