Ushtria e Pakistanit njoftoi sot se ka rrëzuar katër dronë të thjeshtë të lëshuar nga Afganistani, ndërsa Kabuli pretendoi se ka goditur me sukses kampe të dyshuara të ISIS-it (DEASH) brenda territorit të Pakistanit, transmeton Anadolu.
Zhvillimet vijnë mes tensioneve të fundit ndërmjet dy vendeve fqinje pas një sulmi militant ndaj një objekti të sigurisë në qytetin port jugor pakistanez Karaçi dhe sulmeve ajrore të javës së kaluar nga Islamabadi ndaj kampeve të dyshuara terroriste në Afganistan.
Në një deklaratë, ushtria pakistaneze tha se rrjeti i saj i mbrojtjes ajrore i zbuloi dhe neutralizoi “menjëherë” platformat ajrore armiqësore të lëshuara nga forcat afgane të sigurisë të martën në provincën jugperëndimore Baluçistan, “si pjesë e mbështetjes dhe patronazhit të tyre ndaj grupeve terroriste që veprojnë nga territoret nën kontrollin e tyre”.
“Nëse talebanët afganë vazhdojnë të provokojnë Pakistanin, do të përballen me një përgjigje të përshtatshme që do t’u kushtojë rëndë”, thuhet në deklaratë.
Deklarata nuk përmendi viktima, por gazeta angleze lokale “Dawn”, duke cituar burime, raportoi se një grua humbi jetën dhe gjashtë persona të tjerë u plagosën nga një sulm i dyshuar me dron në Peshavar, kryeqyteti i provincës veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa, të martën në mbrëmje.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Afganistanit, Siddiqullah Nusrat tha se Forcat Ajrore afgane kryen sulme ndaj kampeve të dyshuara të ISIS-it në Baluçistan dhe Khyber Pakhtunkhwa, duke shkaktuar “humbje të mëdha në njerëz dhe dëme materiale” për grupin terrorist.
Në platformën sociale amerikane X, Nusrat tha se sulmet ajrore u kryen me “saktësi të lartë” dhe nuk shkaktuan viktima civile. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar pas disa sulmeve militante në Pakistan në vitet e fundit, të cilat kanë çuar edhe në përplasje kufitare.
Islamabadi akuzon Kabulin se lejon militantët të përdorin territorin e tij, ndërsa Afganistani i mohon këto akuza.