A ia ngulën ASH-së Izeti dhe Bilalli?

A ia ngulën ASH-së Izeti dhe Bilalli?

Koment: TS

Rikonstruimi i Qeverisë u mbyll. Dikush fitoi më shumë pushtet, dikush ruajti pozitat, ndërsa dikush doli me duar bosh. Nëse ka një subjekt që pagoi faturën më të rëndë politike, ajo është Aleanca për Shqiptarët.

Nga dy ministri në Qeveri, ASH sot mbetet jashtë ekzekutivit. Një parti që ka më shumë deputetë se disa partnerë të tjerë brenda VLEN-it, por që në fund mbeti pa asnjë peshë në kabinetin qeveritar. Në politikë, numrat nuk vlejnë gjithmonë. Vlen aftësia për të negociuar dhe për të imponuar vullnetin.

Ndërkohë, kabineti u mbush me fytyra të reja. Disa prej tyre deri dje shfaqeshin si ekspertë në mëngjes, analistë politikë në mesditë dhe tifozë partiakë në mbrëmje. Sot janë ministra dhe funksionarë të lartë. Kjo tregon se në politikën tonë nganjëherë mjafton të jesh në anën e duhur në momentin e duhur.

Fituesit e këtij rikonstruimi të paktën perkohesisht kanë emra të qartë: Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti. Ata të paktën për momentin, ruajtën pozitat e tyre politikisht. Ndërsa ASH-ja mbeti spektatore e një procesi ku dikur ishte pjesëmarrëse dhe nuk I mbeti asgjë.

Me përfshirjen në Qeveri edhe të Bejxhan Iljazit, u vulos një realitet i ri politik. Opozita shqiptare tashmë është më e qartë dhe puro shqiptare me legjitimitet të votes se pastër shqiptare. Rikonstruimi në anën tjetër, nuk i shuajti pakënaqësitë brenda shumicës. Përkundrazi, mund të ketë shtyrë përplasjet për një moment tjetër jo të largët.

Por pyetja mbetet se a e lexoi gabim lojën Aleanca për Shqiptarët, apo Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti luajtën një lojë politike aq mirë, sa në fund e lanë partnerin e tyre jashtë tavolinës së pushtetit?

Përgjigjja nuk do të vijë nga konferencat për shtyp, por nga zhvillimet e muajve në vijim. Në politikë, fituesi nuk është ai që hyn i pari në Qeveri, por ai që arrin të mbetet aty pa humbur mbështetjen e qytetarëve.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo