Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, raportoi më shumë se 1.4 miliardë dollarë të ardhura nga investimet në kriptovaluta të familjes së tij vitin e kaluar, duke treguar se si ai tani i siguron shumicën e të ardhurave të tij nga asetet dixhitale që kanë përfituar nga politikat e tij, raporton Reuters.
Raportet financiare të paraqitura në Zyrën e Etikës Qeveritare të SHBA-së për vitin 2025 zbulojnë se kompanitë e tij morën gati 800 milionë dollarë nga World Liberty Financial, një sipërmarrje kriptovalutash që ai e filloi me djemtë e tij. Këto të ardhura, të cilat presidenti i ndan me anëtarët e familjes, përfshinin më shumë se 520 milionë dollarë nga shitja e “kriptomonedhave” dhe më shumë se 250 milionë dollarë nga shitja e aksioneve të World Liberty.
Trump raportoi gjithashtu një fitim shtesë prej 635 milionë dollarësh nga shitja e monedhave të tij “meme” $TRUMP.
Kriptomonedhat transformuan pasurinë e Trumpit
Reuters thekson se kriptovalutat e kanë transformuar pasurinë e Trump. Në një raport një vit më parë, për shembull, ai raportoi 57.35 milionë dollarë nga shitja e tokenëve World Liberty, një shifër që është rritur nëntëfish në raportimin e këtij viti.
Agjencia vlerësoi së fundmi se familja Trump ka fituar të paktën 2.3 miliardë dollarë nga projektet që lidhen me kriptovalutat që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.
Presidenti amerikan raportoi gjithashtu më shumë se 80 milionë dollarë të ardhura nga marrëveshjet me kompani të ndryshme mediatike dhe 52 milionë dollarë të ardhura nga kompania e tij që licencoi emrin e tij për investitorë të huaj të pasurive të paluajtshme, kryesisht për shkak të marrëveshjeve me partnerë të Lindjes së Mesme.
Shtëpia e Bardhë mohon konfliktin e interesit
Kur u kontaktua nga Reuters, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, mohoi çdo konflikt interesi midis Trump dhe familjes së tij. “Presidenti Trump me krenari i ka bërë Shtetet e Bashkuara kryeqytetin e kriptomonedhave të botës përmes veprimeve të tij ekzekutive.
“Çdo veprim që ai dhe administrata po bëjnë është në interesin më të mirë të popullit amerikan – dhe të gjithë të ashtuquajturit gazetarë që pretendojnë të kundërtën po riciklojnë të njëjtën narrativë të lodhur dhe të rreme që demokratët dhe media kryesore kanë shtyrë për një dekadë”, tha Kelly.
Trump fiton të ardhura edhe nga bizneset e tij tradicionale – veçanërisht fushat e golfit dhe vendpushimet, nga të cilat ai fitoi më shumë se 500 milionë dollarë vitin e kaluar./Reporteri.net/