Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet: Trotinetët elektrikë vetëm për personat mbi 18 vjeç, të miturve policia do ju konfiskojë në vend trotinetët
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi sot ndryshimet në Ligjin për Sigurinë në Trafikun Rrugor, me të cilat parashikohen rregulla më të rrepta për përdorimin e trotineteve elektrike dhe mjeteve të tjera të lehta elektrike. Ndryshimet u mbështetën unanimisht nga deputetët e pranishëm, pasi të 64 deputetët në sallën plenare votuan pro.
“Ju njoftoj se, në bazë të pikës 2 të Amendamentit X të Kushtetutës së Maqedonisë dhe nenit 11, paragrafi 3 të Ligjit për Komitetin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, ky ligj miratohet me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, duke qenë e nevojshme edhe shumica e dyfishtë, përkatësisht shumica e votave të deputetëve që u përkasin bashkësive që nuk janë shumicë në shtet”, deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski.
Pas votimit sipas parimit të Badinterit, ligji u miratua edhe me 17 vota “pro” nga deputetët e bashkësive joshumicë.
Sipas ndryshimeve të reja, trotinetët elektrikë do të mund t’i drejtojnë vetëm personat mbi 18 vjeç, ndërsa përkufizimi i “mjetit të lehtë elektrik” është precizuar më qartë, ndërsa shpejtësia maksimale e lejuar për qarkullim kufizohet në 20 kilometra në orë, në përputhje me standardet dhe rekomandimet evropiane.
Personave nën moshën 18 vjeç u ndalohet plotësisht drejtimi i trotinetëve elektrikë, ndërsa ashpërsohen edhe sanksionet për shkeljet e parashikuara me ligj. Në raste si drejtimi nga të miturit, tejkalimi i shpejtësisë, transportimi i më shumë se një personi apo ngasja nën ndikimin e alkoolit, policia do të ketë të drejtë të konfiskojë mjetin.