Putini e pranon se sulmet ukrainase po shkaktojnë mungesë karburanti në Rusi

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pranuar se Rusia po përballet me mungesë të karburanteve, ndërsa Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj rafinerive ruse të naftës.

Në një intervistë për televizionin shtetëror rus të dielën në mbrëmje, Putini e ka pranuar për herë të parë se sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike po ndikojnë në furnizimin e brendshëm me karburante, raporton The Guardian.

“Sigurisht që ato krijojnë probleme, kjo është e qartë. Aktualisht po vërejmë një mungesë të caktuar, por nuk është kritike”, u shpreh ai.

Putin tha se Moska synon ta zbusë situatën duke rritur importet e karburanteve, ndërsa njëkohësisht do të forcojë mbrojtjen e rafinerive nga sulmet me dronë dhe do ta përshpejtojë riparimin e infrastrukturës së dëmtuar.

Sulmet e vazhdueshme tregojnë se Ukraina ka rritur ndjeshëm aftësinë për të goditur objektiva strategjikë thellë në territorin rus, duke e detyruar Kremlinin të zhvendosë më shumë burime për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, në një kohë kur përparimet e ushtrisë ruse në front janë ngadalësuar.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, konfirmoi të dielën se dronët ukrainas kishin goditur rafineri nafte në rajonet e Krasnodarit dhe Jaroslavlit.

Sipas analistëve, sulmet ukrainase kanë reduktuar me rreth 25% kapacitetin e rafinimit të naftës në Rusi, duke krijuar vështirësi në furnizimin e tregut të brendshëm dhe një mungesë të vlerësuar prej rreth 15% të karburanteve.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo