Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vënë në dukje rëndësinë e fesë në jetën shoqërore dhe publike të vendit, duke deklaruar se ajo është rikthyer me një ndikim më të madh se në shumë vite të fundit.
Në një deklaratë publike, lideri amerikan tha se besimi fetar po rifiton një rol të rëndësishëm në shoqërinë amerikane, duke theksuar se feja po bëhet sërish një pjesë e fuqishme e identitetit dhe vlerave të vendit.
“Feja është rikthyer në vendin tonë më e madhe dhe më e fuqishme se sa ka qenë për shumë e shumë vite. Që një komb të jetë i madh, duhet të ketë fe dhe Zot”, tha ai.
Trump shtoi se, sipas bindjes së tij, një shoqëri nuk mund të funksionojë siç duhet pa besimin fetar dhe Zotin.
“Nëse nuk i ke këto, duket se gjërat thjesht nuk funksionojnë, apo jo?”, deklaroi presidenti amerikan.
Një raport i ri i një komisioni të administratës Trump sugjeron zëvendësimin e idesë së ndarjes së kishës nga shteti me idenë e krijimit të urave lidhëse mes tyre. Ky qëndrim, i cili sfidon një koncept të konsoliduar prej kohësh në ligjin amerikan, është pjesë e një sërë rekomandimesh të përfshira në një draft-raport të Komisionit për Lirinë Fetare, i publikuar të premten pasdite.
Ky organ këshillues u krijua nga lideri amerikan vitin e kaluar dhe përbëhet pothuajse tërësisht nga të krishterë konservatorë. Draft-raporti prej 224 faqesh – pjesërisht dokument politikash dhe pjesërisht argument filozofik – pasqyron mbështetjen e anëtarëve të tij për një rol më të fuqishëm të fesë dhe shprehjes fetare në qeveri, shkolla dhe hapësirën publike, raporton pbs.
Raporti vlerëson vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë amerikane që kanë zgjeruar të drejtat për shprehjen fetare në ambiente publike, përfshirë mundësinë që individët të përjashtohen nga disa mësime shkollore për arsye fetare.