Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus do t’i bashkohet protestës në Tiranë: Zërin e qytetarëve dua ta çoj në Bruksel

Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus ka njoftuar se të hënën do të marrë pjesë në protestën që zhvillohet në Tiranë, një revoltë që ka hyrë në ditën e 26-të dhe ku qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendësimin e klasës politike në vend.

Në një publikim në faqen e saj zyrtare në Instagram, Paulus shprehet se qytetarët janë duke mbrojtur demokracinë dhe sundimin e ligjit, ndërsa thekson se këtë po e bëjnë me një guxim dhe vendosmëri mbresëlënëse.

Ajo shkruan se synimi i saj është të dëgjojë dhe të kuptojë shqetësimet e njerëzve, për t’i përcjellë më pas zërat e tyre në Bruksel dhe në Evropë.

Në postimin e saj të plotë, eurodeputetja thekson se Vjosa-Narta është shumë më tepër sesa një deltë bregdetare.

Sipas saj, çështja lidhet me faktin nëse natyra do të mbrohet apo do të detyrohet t’u hapë rrugë interesave afatshkurtra të fitimit të miliarderëve. Po ashtu, ajo ngre pyetjen nëse rregullat demokratike dhe standardet mjedisore zbatohen edhe në rastet kur nuk përputhen me një model biznesi.

Paulus nënvizon se njerëzit nuk po mbrojnë vetëm natyrën, por edhe demokracinë dhe sundimin e ligjit, duke e bërë këtë me një guxim dhe vendosmëri mbresëlënëse.

Ajo bën të ditur se të hënën në mbrëmje do t’u bashkohet protestave në Tiranë, ndërsa të martën do të vizitojë Vjosa-Nartën për të parë nga afër situatën në terren.

“Dua të dëgjoj, të kuptoj dhe t’i çoj zërat e njerëzve përsëri në Bruksel dhe në Evropë”, shkruan ajo.

Më tej, eurodeputetja shprehet se pasi një habitat shkatërrohet, ai nuk mund të restaurohet thjesht. Për këtë arsye, sipas saj, nevojiten vëmendje, standarde të qarta dhe vullnet politik për t’i zbatuar ato.

Në fund, ajo deklaron se është në solidaritet me të gjithë ata që dalin në rrugë për Vjosa-Nartën dhe të ardhmen e saj.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo