VLEN humbet ministritë kryesore, fiton resorë më pak me peshë politike

Rikonstruimi i Qeverisë duket se po sjell një goditje të re politike për koalicionin VLEN shkruan Tetovasot. Sipas informacioneve që po qarkullojnë në opinion, VLEN pritet të humbasë dy nga ministritë më të rëndësishme – Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, resorë që menaxhojnë buxhete të mëdha dhe prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Në vend të tyre, koalicioni shqiptar thuhet se do të marrë Ministrinë e Sportit dhe Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, institucione që konsiderohen me ndikim dukshëm më të kufizuar në vendimmarrjen qeveritare.
Ky zhvillim pritet të hapë debate të reja brenda kampit shqiptar, pasi gjatë hyrjes në qeveri VLEN premtoi përfaqësim më të fuqishëm dhe rol më të madh në ekzekutiv. Humbja e resorëve kyç mund të interpretohet si dobësim i pozitës negociuese të koalicionit brenda shumicës qeverisëse.
Mbetet të shihet nëse këto ndryshime do të konfirmohen zyrtarisht dhe si do t’i arsyetojë VLEN lëvizjet e reja në kabinetin qeveritar. Nëse realizohen, ato do të përbëjnë një nga ndryshimet më domethënëse në balancën e pushtetit brenda qeverisë aktuale.

Do të ketë rotacion të resorëve në Qeveri mes partnerëve të koalicionit, ndërsa emra të rinj pritet të ketë në të paktën shtatë ose tetë ministri. Ky është epilogu i bisedimeve mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it lidhur me rikonstruimin e Qeverisë, i cili sipas paralajmërimeve duhet të përfundojë deri në fillim të muajit të ardhshëm.
Burime nga koalicioni qeverisës, të informuara mirë për negociatat, kanë deklaruar për “Fokus” se ekziston një marrëveshje parimore sipas së cilës VLEN duhet të heqë dorë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës Sociale dhe Demografisë, ndërsa në këmbim të marrë nga VMRO-DPMNE Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, si dhe Ministrinë e Sportit. Kjo do të thotë një resor më shumë për partnerin shqiptar në qeveri transmeton Tetovasot.
Nëse kjo konfirmohet në marrëveshjen përfundimtare për rikonstruimin, atëherë nga Qeveria do të largohen përfundimisht Zoran Ljutkov, Borko Ristovski, Ivan Stoilkoviq, si dhe Fatmir Limani, për të cilin prej kohësh dihej se do të hiqej nga lista e ministrave.
Të njëjtat burime shtojnë se ka shumë gjasa që të zëvendësohet edhe Igor Filkov në Ministrinë e Drejtësisë, me ç’rast ky resor do t’i kalonte VMRO-DPMNE-së, ndërsa në këmbim ZNAM-it do t’i ofrohej Ministria e Bujqësisë. Nëse kjo ndodh, nga posti ministror do të largohej edhe Cvetan Tripunovski. Më herët dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë kishte dhënë edhe Arben Fetai.
Nëse këto informacione konfirmohen, atëherë rikonstruimi qeveritar do të ketë dy pasoja kryesore. Së pari, do të jetë një rikonstruim i thellë, pasi do të ndryshojë më shumë se një e treta e përbërjes aktuale të kabinetit qeveritar, çka do të thotë se në Parlament do të votohet sikur të bëhej fjalë për zgjedhjen e një qeverie të re.
Së dyti, VMRO-DPMNE do të forcojë më tej pozitat e saj në pushtetin ekzekutiv, pasi do të marrë tre ministri më të rëndësishme – Shëndetësinë, Politikën Sociale dhe, me shumë gjasa, Drejtësinë – ndërsa do të japë katër resorë më pak të fuqishëm: Kulturën, Sportin, Bujqësinë dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive. Kjo mund të interpretohet edhe si heqje dorë nga zgjedhjet e parakohshme vitin e ardhshëm dhe përpjekje për të arritur rezultate sa më pozitive deri në fund të mandatit katërvjeçar.
Megjithatë, për konfirmimin e këtyre informacioneve jozyrtare nevojitet edhe pëlqimi i partnerit të tretë qeverisës, ZNAM-it.

Nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare mes partnerëve të qeverisë, ajo pritet të konfirmohet nga organet partiake të të gjitha partive të koalicionit gjatë fundjavës. Më pas, në fillim të javës së ardhshme, propozimi zyrtar së bashku me emrat e rinj për ministra do të dorëzohet në Kuvend.TS

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo