“Kafe me ambasadorë” në Tetovë: Dialog për paqen dhe sigurinë

“KAFE ME AMBASADORË” NË TETOVË: DIALOG PËR PAQEN DHE SIGURINË

Dje, në Europe House Tetovë, u mbajt aktiviteti “Kafe me ambasadorë”, kushtuar temës “Paqja dhe siguria”, me pjesëmarrjen e Ambasadorit të Hungarisë, Sh.T. Andrаs Klein.

Në një atmosferë të hapur dhe ndërvepruese, diskutimi trajtoi kuptimin më të gjerë të paqes dhe sigurisë, jo vetëm si mungesë e luftës, por edhe si mundësi për të jetuar të sigurt, me barazi, respektim të identitetit dhe ndjenjë përkatësie. Përmes përvojës së Hungarisë, u shqyrtuan ndryshimet historike, si tranzicioni demokratik dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian në vitin 2004. Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të BE-së në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme me vendet fqinje, mbrojtjen e pakicave dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

Biseda u përqendrua gjithashtu te Bashkimi Europian si një projekt paqeje, i bazuar në institucione të përbashkëta, ndërlidhje ekonomike dhe bashkëpunim politik. Në këtë kontekst, u diskutuan sfidat aktuale të sigurisë dhe rëndësia e veprimit të përbashkët evropian. Duke pasur parasysh edhe karakterin multietnik të Tetovës, një pjesë e diskutimit iu kushtua dialogut ndëretnik, ndërtimit të besimit dhe rolit të institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile në ruajtjen e paqes.

U theksua se siguria bashkëkohore përfshin edhe sigurinë energjetike, qëndrueshmërinë ekonomike, dezinformimin dhe besimin në institucione. Gjithashtu, u diskutua për rolin e integrimit në BE si një faktor i rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor. Aktiviteti u përmbyll me një bisedë për të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut dhe për përfitimet konkrete që anëtarësimi në BE do të sillte për shoqërinë në tërësi.

“Kafe me ambasadorë” është një seri debatesh që organizohen në të gjithë rrjetin e Europe House, me qëllim nxitjen e dialogut të hapur ndërmjet ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe qytetarëve.

“Kafe me ambasadorë” në Tetovë: Dialog për paqen dhe sigurinë

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo