Mickoski: Shëndetësia mbetet fokusi ynë, përfundon rikonstruksioni i Spitalit të Përgjithshëm në Strumicë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se shëndetësia mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, gjatë vizitës së tij në Spitalin e Përgjithshëm në Strumicë, ku u shënua përfundimi i rikonstruksionit të objektit informon Tetovasot.
Ai theksoi se ky projekt pritej prej më shumë se 40 vitesh dhe se deri në fund të gushtit do të përfundojnë edhe punimet e fundit për pajisjen e objektit, ndërsa nga fillimi i shtatorit spitali pritet të vihet plotësisht në funksion.
Mickoski tha se Qeveria po realizon projekte të shumta infrastrukturore dhe shëndetësore me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ai njoftoi se janë në procedurë projektet për Spitalin Klinik në Shtip, objektet shëndetësore në Kërçovë dhe Spitalin Klinik në Tetovë, ndërsa në fazë zhvillimi është edhe projekti për një qendër të re klinike në Shkup.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu shpalljen e tenderit për studimin e fizibilitetit dhe projektimin e rrugës ekspres që do të lidhë Radovish me Strumicë, si pjesë e planeve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lidhjen me Bullgarinë.
Në fund, ai falënderoi drejtuesit e spitalit, personelin mjekësor dhe të gjithë të përfshirët në realizimin e projektit, duke theksuar se qytetarët meritojnë të trajtohen në kushte moderne dhe sipas standardeve evropiane.TS
youtube.com/live/V8DJaonKKFU?si=-7X2faDQnny7DqGH