Angazhimi i përbashkët për të ardhme të sigurt të të rinjve: Nënshkruhet deklarata për parandalimin e dhunës te të rinjtë

Sot, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup, organizoi nënshkrimin e deklaratës së qëllimit për parandalimin e dhunës ndërmjet të rinjve, me qëllim rritjen e sigurisë dhe të pjesëmarrjes aktive të të rinjve në Maqedoninë e Veriut.

Pesë ministri, së bashku me institucionet partnere, me organizatat joqeveritare dhe me anëtarët e Grupit Nacional të Punës për Parandalimin e Dhunës te të Rinjtë, sot nënshkruan deklaratën e qëllimit, me të cilën zotohen për bashkëpunim më intensiv në parandalimin dhe në trajtimin e dhunës ndërmjet të rinjve.

Me hapjen e eventit, ambasadori Kilian Val, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, theksoi nevojën e parandalimit më të mirë të koordinuar:

“Dhuna te të rinjtë nuk është seri incidentesh të izoluara pa arsye të vërtetë. Nevojitet mirëkuptim dhe mirëkuptim i përbashkët nga të gjithë ne: prindërit, mësuesit, bashkëmoshatarët, punonjësit socialë, organet e zbatimit të ligjit, drejtësia dhe të tjerë. Deklarata që nënshkruhet sot, përfaqëson angazhim për veprim në kohë, për dëgjim më të mirë dhe koordinim më efektiv, që të rinjtë të mund të jetojnë të lirë nga frika dhe dhuna”.

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, theksoi rëndësinë e udhëheqjes dhe të koordinimit institucional:

“Si Ministri e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, kemi marrë përgjegjësinë që ta udhëheqim procesin e krijimit të Grupit Nacional të Punës për Parandalimin e Dhunës te të Rinjtë, mekanizmi i parë kombëtar që në mënyrë sistemike dhe gjithëpërfshirëse trajton këtë çështje. Nënshkrimi i sotëm i deklaratës së qëllimit përfaqëson hap të rëndësishëm përpara në angazhimin tonë të përbashkët për të ndërtuar mjedis më të sigurt për çdo të ri në vendin tonë. Vizioni ynë është i qartë – një shoqëri, në të cilën çdo i ri do të ndihet i sigurt, i respektuar dhe i dëgjuar. Shoqëri, në të cilën, dallimet respektohen, konfliktet zgjidhen përmes dialogut dhe dhuna nuk ka vend as në shkolla, as në rrugë, as në botën digjitale”.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se ndër vite është ndërtuar mekanizëm për trajtimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve, i cili veçanërisht, përgjatë dy viteve të fundit është përmirësuar ndjeshëm.

“Bëmë ndryshime ligjore, në përputhje të të cilave, shkollat janë të obliguara që në programet e tyre vjetore të punës të planifikojnë edhe programe për promovimin e mirëqenies së nxënësve, mbrojtjen nga dhuna, abuzimi dhe neglizhenca, parandalimin e diskriminimit, përmirësimin e komunikimit dhe aktivitete të ngjashme për rritjen e vetëdijes për një mjedis shkollor paqësor dhe harmonik, ku ka mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë. Përforcuam shërbimet profesionale me angazhim të stafit aty ku mungonte, me trajnime për aftësi në parandalimin e dhunës dhe rikthyem kujdestarinë e mësimdhënësve gjatë pushimeve në korridore dhe në oborre” – tha Janevska.

Vëri në dukje se me sektorin privat, janë përgatitur udhëzues për trajtimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe të asaj kibernetike, si dhe se në procedurë parlamentare ndodhen ndryshime ligjore që parashohin gjoba financiare ndaj prindërve dhe kujdestarëve të fëmijëve, për të cilët do të konstatohet se kanë kryer dhunë mes bashkëmoshatarëve në shkollë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, theksoi rëndësinë e sigurisë lokale, të besueshmërisë dhe të reagimit të shpejtë institucional:

“Deklarata për qëllime që po nënshkruajmë paraqet kornizë të përbashkët veprimi, mbi parimet e barazisë, të mosdiskriminimit, të gjithëpërfshirjes, të qasjes dhe të pjesëmarrjes aktive të të rinjve. Vetëm përmes bashkëpunimit të fortë ndërinstitucional dhe reagimit në kohë, mund të krijojmë mjedis më të sigurt për të rinjtë – në shkollë, në komunitet dhe në hapësirën onlajn” – theksoi Toshkovski.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, theksoi nevojën e përforcimit të sigurisë digjitale dhe mbrojtjen e të rinjve në internet:

“Zgjidhja më e mirë për mbrojtjen e të rinjve nuk është ndalimi, por edukimi. Nuk mund t’i eliminojmë të gjitha rreziqet nga interneti, por mund t’i përgatisim të rinjtë që t’i njohin ato, të reagojnë në mënyrë të duhur dhe të dinë ku të kërkojnë ndihmë. Andaj, Ministria e Transformimit Digjital po punon në ngritjen e vetëdijes për përdorimin e sigurt të internetit”.

Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Sportit, Sasho Ognjenovski, theksoi rolin e sportit në avancimin e fair-play-it, të respektit dhe të sjelljes jo të dhunshme ndërmjet të rinjve, duke u shprehur se:

“Ministria e Sportit mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të vlerave sportive si pjesë e rëndësishme e përpjekjeve më të gjera shoqërore për parandalimin e dhunës te të rinjtë dhe për ndërtimin e shoqërise së bazuar në respekt, në përgjegjësi dhe në solidaritet”.

Deputetja Dragana Bojkovska, Koordinatore e Klubit për Çështje dhe Politika Rinore, theksoi rolin e rëndësishëm të Kuvendit në avancimin e politikave të orientuara drejt të rinjve, përforcimin e mbështetjes ndërpartiake për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve, si dhe rëndësinë se si siguria e të rinjve të mbetet lart në agjendën institucionale:

“Parandalimi i dhunës te të rinjtë nuk është detyrë vetëm e një institucioni, por përgjegjësi e përbashkët e gjithë shoqërisë. Si Kuvend, mbetemi të përkushtuar në krijimin e politikave që sigurojnë mjedis të sigurt dhe mbështetje për çdo të ri, sepse investimi te të rinjtë është investim në të ardhme të qëndrueshme.

Pas fjalimeve hyrëse dhe nënshkrimit të deklaratës, vijoi panel-diskutimi, në të cilin mori pjesë Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu. Ai foli për sfidat aktuale të ndërlidhura me dhunën te të rinjtë dhe përse ishte e rëndësishme të vendoset një mekanizëm i veçantë kombëtar për këtë çështje.

Sabriu në diskutim u ndal edhe te hapat e ardhshëm që do t’i ndërmarrë Ministria, të cilët do të jenë të orientuar si në hapësirën fizike ashtu edhe në atë digjitale: lansimi i fushatës kombëtare për shkrim-lexim digjital dhe siguri kibernetike për të rinjtë, në bashkëpunim me sektorin civil dhe shkollat, me fokus në njohjen dhe raportimin e dhunës digjitale, si dhe përforcimin e targetuar të kapaciteteve të Qendrave për Punë Sociale. Po ashtu, ai theksoi se përmes Sektorit për Rini pranë Ministrisë, në të gjitha aktivitetet parandaluese do të përfshihen drejtpërdrejt unionet rinore dhe këshillat rinorë lokalë.

Ngjarja e sotme u mbajt në kuadër të Grupit Kombëtar të Punës për Parandalimin e Dhunës te të Rinjtë, i cili përfaqëson mekanizmin e parë kombëtar, dedikuar ekskluzivisht kësaj çështjeje. Grupi i Punës është themeluar nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup, me pjesëmarrjen e institucioneve, të organeve të zbatimit të ligjit, si dhe të sektorit civil dhe atij rinor.

Me formimin e tij është krijuar platforma për koordinim dhe dialog, me qëllim trajtimin sistematik të dhunës te të rinjtë, përmes identifikimit të rreziqeve, të përcaktimit të prioriteteve dhe të monitorimit të zbatimit të masave.

Grupi i Punës synon t’i përforcojë kapacitetet institucionale dhe të sigurojë qasje gjithëpërfshirëse në parandalim, me pjesëmarrje aktive të të rinjve në proceset e vendimmarrjes dhe në hartimin e politikave të ndërlidhura me sigurinë e tyre.

Angazhimi i përbashkët për të ardhme të sigurt të të rinjve: Nënshkruhet deklarata për parandalimin e dhunës te të rinjtë

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo