Meidani me reagim ndaj kritikëve të Shqipërisë: Ata që jetojnë në shtëpi prej xhami nuk duhet të hedhin gurë

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar me një status në rrjetet sociale, i cili në opinion po interpretohet si përgjigje ndaj kritikave që disa figura publike dhe politike shqiptare i drejtuan kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas deklaratës së tij se “nga Tetova dhe Prishtina po hedhin gurë në Bulevard dhe po fshehin dorën”.

Edhe pse pa përmendur emra konkretë, Meidani kritikoi ashpër individët që, sipas tij, e marrin personalisht çdo debat për personat që “nën petkun e patriotizmit, ambientalizmit apo ekspertizës, u shërbejnë axhendave të caktuara”.

“Ata që jetojnë në shtëpi prej xhami, nuk duhet të hedhin gurë”, shkroi ambasadori, duke shtuar se disa persona “vetëofrohen menjëherë si të akuzuar” sa herë hapet debati për individë që, sipas tij, promovojnë interpretime të shtrembëruara dhe zgjidhje gjysmake.

Mbështetësit e Ramës argumentojnë se kryeministri shqiptar nuk iu referua qytetarëve të Tetovës dhe Prishtinës, por fushatave hibride dhe sulmeve të koordinuara në rrjetet sociale, të cilat sipas tyre zhvillohen nga struktura politike të lidhura me VLEN-in në Maqedoninë e Veriut dhe me Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë.

Statusi i plotë i ambasadorit Meidani:

Ata që jetojnë në shtëpi prej xhami, nuk duhet të hedhin gurë.

Disa kanë një talent të veçantë: sa herë flitet për individë që, nën petkun e patriotizmit, ambientalizmit apo ekspertizës, u shërbejnë axhendave të caktuara, vetëofrohen menjëherë si të akuzuar.

Nuk e di pse e marrin kaq personalisht. Ndoshta sepse këto dy vite kanë qenë ndër arkitektët, ose draftuesit apo promotorët politikë të interpretimeve të shtrembëruara dhe zgjidhjeve gjysmake që kanë dobësuar të drejtat që pretendojnë se i mbrojnë, ndërkohë që dihet kujt axhende po i shërbejnë, sigurisht, përveç interesit personal.

Para se të flasin për komplote dhe teori të mëdha, ndoshta duhet të flasin pak për bilancin e tyre.

Jo çdo kritikë është sulm.
Jo çdo vetëviktimizim është argument.
Jo çdo titull është kontribut.
Mblidhni mëndjen!

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo