Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se është i gatshëm të komunikojë me partitë politike për çështjen e presidentit, ndërsa është shprehur optimist për konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë, menjëherë pas certifikimit të rezultateve. E, profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se fillimisht duhet zgjedhur presidenti, e më pas të formohet Qeveria
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur optimist për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, menjëherë pas konstituimit të legjislaturës së njëmbëdhjetë. Por, për çështjen e zgjedhjes së presidentit, ka thënë se do të vazhdojë komunikimin me opozitën.
Në një deklarim për media, pas homazheve pranë monumentit të heroit “Zahir Pajaziti”, me rastin e Ditës së çlirimit të Kosovës, Kurti, i cili është kryeministër në detyrë, tha se pas përmbylljes së numërimit të votave do të nisin konsultimet për hapat e ardhshëm.
“Jemi të gatshëm, vullnetshëm dhe të interesuar për komunikim dhe bashkëpunim. Kjo nuk është asgjë e re nga ana jonë dhe e dini se si qeveri kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën. Ne kemi propozuar, ata kanë refuzuar dhe shpresojmë që kësaj radhe të jetë ndryshe. Për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së njëmbëdhjetë nuk duhet ne të ndryshojmë. Ne ishim ata që morëm iniciativat për takime, ne ishim ata që ofruam bashkëqeverisje me LDK-në”, ka thënë Kurti, partia e të cilit është rikonfirmuar fituese e zgjedhjeve të së dielës, por rezultati nuk i ka dhënë numrin e njëjtë të deputetëve.
Bazuar në numërimin e deritashëm, Vetëvendosja do t’i ketë 49 deputetë, Partia Demokratike 24, Lidhja Demokratike 19, ndërsa Aleanca 8. Komunitetet i kanë 20 deputetë, gjysma e të cilëve u takojnë serbëve.
Bazuar në disa projeksione, Vetëvendosja mund t’i sigurojë maksimumin 53 ulëse në Kuvend, nëse vota e diasporës që ende nuk është numëruar, shkon në shkallën mbi 75 për qind për të. Kjo do t’ia mundësonte ta bënte qeverinë vetëm me deputetët e subjekteve politike nga radhët e komuniteteve, pa përfshirë Listën Serbe.
E, ende pa përfunduar numërimi i votave, ka nisur debati për rrjedhën e formimit të institucioneve.
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, tha se zgjedhja e presidentit duhet të jetë prioriteti i parë pas konstitumit të Kuvendit.
Ai ka thënë se pas konstituimit, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, janë 60 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit dhe nëse kjo nuk bëhet, vendi do të shkojë në mënyrë automatike në zgjedhje.
“Sipas kësaj gjendjeje, që e kemi faktike, do të duhej që Qeveria të presë në mënyrë që të zgjidhet presidenti. Presidenti ose presidentja ta mandatojë mandatarin e qeverisë të parin. Nëse ai nuk e bën, e bën i dyti dhe mandej të bëhet Qeveria e atyre që e kanë shumicën në Kuvend”, ka thënë Baraliu.
Por, në Kosovë ka një precedent tjetër. Në vitin 2021, Kosova ishte me ushtrues detyre të presidentit, sikurse tash. Pas zgjedhjeve që u mbajtën në atë vit, fillimisht u konstituua Kuvendi, më pas u zgjodh qeveria dhe pas seancës për kabinetin qeveritar, u thirr ajo për zgjedhjen e presidentit të shtetit.
Baraliu thotë se, në procesin e konstituimit të Kuvendit, partitë politike duhet të punojnë me pjekuri politike dhe jo me barikadime, taktika e manovra politike.
“Këta nuk kanë marrë siç duket ende leksion, por me nëntekstin e tyre të fjalimeve të dyzuara, më shumë se të dyzuara, atëherë kjo tregon se nuk e kanë kuptuar dhe po duan të vazhdojnë avazin e vjetër dhe kjo do të ishte fatale edhe për partitë politike, por edhe për ne, sepse troç dhe shqip të thuhet se zgjedhjet e ardhshme mund të befasojnë edhe më pakëndshëm me një bojkot total, ose me një pjesëmarrje prej 15 për qind”, ka thënë ai.
Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të marrë rezultatet e para, kishte deklaruar se pikënisje për bisedime më Vetëvendosjen është emri i Vjosa Osmanit, që kishte garuar në listën e LDK-së si kandidate për presidente.
E në PDK kanë deklaruar se nuk kanë vija të kuqe, por se duhet marrëveshje politike.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje si forcën e parë politike në vend me rreth 43.50 për qind të votave, që aktualisht përkthehen në 49 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me rreth 20.98 për qind të votave dhe 24 ulëse parlamentare, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar rreth 17.11 për qind të votave, që aktualisht i japin 19 ulëse në Kuvend.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.17 për qind të votave, duke siguruar 8 ulëse në Kuvend.
Përqindjet kanë trend ndryshimi, pas nisjes së numërimit të votave të diasporës. Nga numërimi i 27 prej 47 kutive të votimit të dërguara nga selitë diplomatike ku mërgimtarët kanë votuar fizikisht, rezulton se LVV-ja ka fituar rreth 83 për qind, PDK-ja 7.3 për qind, LDK-ja 6.7 për qind e AAK-ja rreth 2 për qind. Janë edhe rreth 80 mijë vota që janë dërguar nëpërmjet postës nga mërgata, e që ende nuk janë numëruar./Koha.net