Lëvizja Vetëvendosje ka fituar edhe ulësen e 50-të në Kuvendin e Kosovës, teksa numërimi i votave po vazhdon.
Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri tash janë numëruar 2,458 nga 2,691 vendvotime, ku përfshihen edhe ato në përfaqësi diplomatike.
LVV-ja aktualisht ka kaluar mbi 300 mijë vota apo 43.65 për qind. Ka 50 ulëse në Kuvend.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tash ka 23 ulëse, një më pak se kur kishte në rezultatet preliminare.
E Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vazhdon të ketë 19 ulëse, një më pak se në rezultatet preliminare, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tetë ulëse.
Sa i përket brenda vendit, vetëm në Prishtinë nuk ka përfunduar numërimi i votave. Kanë mbetur edhe 73 vendvotime për t’u numëruar.
Në përfaqësi diplomatike janë numëruar 33 nga 47 vendvotimet.
Pa numëruar janë mbi 100 mijë vota me postë.