Ambasadori turk në Tiranë: Turqia dhe Shqipëria janë dy vende mike dhe aleate

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, ka deklaruar se Turqia dhe Shqipëria janë dy vende mike dhe se miqësia dhe vëllazëria e ngushtë mes dy vendeve ka ekzistuar gjithmonë, raporton Anadolu.

Në ambientet e kampusit të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universitet i Fondacionit Turk Maarif, është mbajtur konferenca me temë “Një shekull marrëdhënie Turqi-Shqipëri”.

Në hapje të konferencës, ambasadori Erciyes theksoi se Turqia dhe Shqipëria janë dy kombe që kanë ecur së bashku për shekuj dhe sipas tij dy shtete moderne të formuara pasi kanë kaluar nëpër procese të caktuara.

“Kjo miqësi dhe vëllazëri e ngushtë ka ekzistuar gjithmonë, ka vazhduar pavarësisht nga marrëdhëniet politike. Sot, vazhdon shumë fuqishëm dhe duke ardhur deri në ditët e sotme, Turqia dhe Shqipëria janë dy vende mike, dy vende aleate brenda kuadrit të NATO-s, që punojnë së bashku në EUFOR-ALTHEA në Bosnjë e Hercegovinë. Dy vende aleate që bashkëpunojnë së bashku në rajon, dy vende me të cilat formalizuam marrëdhëniet tona strategjike dhe partneritetin strategjik me deklaratën politike që nënshkruam në vitin 2021. Me mekanizmin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë që kemi krijuar, kabinetet dhe qeveritë e dy vendeve bashkohen”, tha Erciyes.

Ambasadori Erciyes theksoi ndër të tjera se ekziston një marrëdhënie shumë e fortë midis Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Gjithashtu Erciyes tha se në fushat e ekonomisë, kulturës, arsimit, shëndetësisë dhe industrisë së mbrojtjes, ekziston një marrëdhënie shumë e fortë dhe domethënëse midis dy vendeve, duke sjellë si shembull Spitalin Rajonal Memorial të Fierit, i ndërtuar me mbështetjen financiare të Turqisë.

Ambasadori turk u shpreh se Shqipëria po përparon shumë shpejt drejt Bashkimit Evropian. “Sigurisht, ne gjithashtu e dimë se nëse Turqia ngrihet, ngrihet edhe Shqipëria, dhe nëse Shqipëria ngrihet, ngrihet edhe Turqia. Me këtë vetëdije, ne do të vazhdojmë të zhvillojmë dhe përparojmë fuqishëm marrëdhëniet tona”, u shpreh ambasadori Erciyes.

– “Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë kanë ndryshuar dhe janë zhvilluar në një mënyrë shumë pozitive”
Kreu i Institutit të Historisë Turke, Prof. Dr. Yuksel Ozgen gjatë fjalës së tij u ndal edhe në historikun e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Shqipërisë.

Ozgen u shpreh se qëllimi i konferencës është të përditësojë edhe një herë njohuritë dhe informacionet mbi marrëdhëniet Turqi-Shqipëri dhe të përgatisë terrenin për atë që mund të bëhet në të ardhmen.

“Po përjetojmë dhe po vëzhgojmë drejtpërdrejt se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë kanë ndryshuar dhe janë zhvilluar në një mënyrë shumë pozitive. Në këtë kontekst, besojmë se konferenca e sotme do të hedhë themelet për zhvillimin e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Shqipërisë, si në aspektin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe shoqërore, ashtu edhe për zhvillimin e tyre të mëtejshëm cilësor në aspektin ekonomik, shoqëror dhe kulturor”, tha Ozgen.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe rektori në detyrë i UNYT-së, Prof. Asoc Ilir Kalemaj dhe administratori i UNYT-së, Muhammed Enes Durmus.

Konferenca njëditore mblodhi studiues dhe akademikë të njohur për të diskutuar mbi marrëdhëniet historike, politike, kulturore dhe akademike midis dy vendeve, duke shqyrtuar zhvillimin e tyre nga e kaluara deri në të tashmen.

Konferenca u zhvillua në bashkëpunim mes Institutit të Historisë Turke dhe Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT).

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo