Labudoviq nga KOSAP: Ballkani duhet të bëhet një korridor energjetik i Evropës, e jo periferi e tranzicionit
Siguria energjetike, tranzicioni i përshpejtuar i gjelbër dhe lidhja rajonale ishin në fokus të fjalimit të zëvendësministrit të Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Miroslav Labudović, në Konferencën e XXIII të komisioneve parlamentare për integrim evropian dhe çështje evropiane (KOSAP), e cila u mbajt në Strugë.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të institucioneve dhe trupave parlamentarë nga vendet e Evropës Juglindore, Labudoviq theksoi se siguria energjetike nuk mund të trajtohet më si çështje kombëtare, por si një përgjegjësi e përbashkët rajonale dhe evropiane që kërkon qasje të koordinuar, investime dhe bashkëpunim të fortë reciprok.
Në paraqitjen e tij, ai u ndal te Ligji i ri për energjetikën, i cili është i harmonizuar me legjislacionin evropian, duke theksuar se reformat duhet të sigurojnë përfitime reale për ekonominë dhe sektorin e biznesit.
„ Tranzicioni i gjelbër është i domosdoshëm, por ai duhet të jetë i drejtë dhe ekonomikisht i qëndrueshëm. Mekanizmat si CBAM nuk duhet të ulin konkurrueshmërinë e kompanive të rajonit, por duhet të krijojnë kushte për zhvillimin dhe modernizimin e tyre”, porositi Labudoviq.
Duke folur për transformimin energjetik, zëvendësministri theksoi se Maqedonia po punon intensivisht për të përshpejtuar investimet në burimet e rinovueshme të energjisë, si dhe për zhvillimin e sistemeve që do të sigurojnë stabilitet dhe siguri të rrjetit.
Ai theksoi se përveç ndërtimit të kapaciteteve të reja diellore dhe të erës, fokusi është vendosur te sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë dhe te projektet që do të mundësojnë shfrytëzim më efikas të potencialit hidroenergjetik, si parakushte kyçe për balancimin e suksesshëm të sistemit energjetik.
Theks i veçantë u vendos edhe te modernizimi i infrastrukturës elektroenergjetike përmes zhvillimit të rrjeteve inteligjente (Smart Grids), të cilat do të mundësojnë efikasitet më të madh, menaxhim më të mirë të burimeve dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe kompanive në prodhimin e energjisë elektrike.
„ Nuk mund të ndërtojmë sisteme energjetike të së ardhmes mbi infrastrukturë të shekullit të kaluar. Digjitalizimi dhe rrjetet inteligjente krijojnë kushte që çdo qytetar dhe çdo kompani të bëhen pjesëmarrës aktivë në treg dhe pjesë e tranzicionit energjetik”, theksoi Labudoviq.
Në kuadër të konferencës u theksua edhe rëndësia e ndërtimit të interkonekcioneve të reja energjetike me vendet fqinje, me ç’rast Ballkani Perëndimor do të pozicionohet si një korridor i rëndësishëm rajonal për transmetimin e energjisë së pastër dhe për forcimin e sigurisë energjetike.
Labudoviq theksoi se paralelisht me procesin e digjitalizimit, mbrojtja e infrastrukturës kritike energjetike dhe siguria kibernetike e rrjeteve përbëjnë një prioritet strategjik të lartë.
Pjesëmarrja e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale në konferencën KOSAP përfaqëson një konfirmim të rolit aktiv të Maqedonisë në proceset rajonale dhe evropiane, të orientuara drejt krijimit të një sistemi energjetik modern, rezistent dhe të qëndrueshëm në dobi të qytetarëve dhe ekonomisë.



