Çerkezi pa shqip në hyrje, këshilltarët e AKI kërkojnë heqjen e tabelës

Këshilltarët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Këshillin Komunal të Kumanovës kanë reaguar ndaj vendosjes së një tabele të re në hyrje të fshatit Çerkez, duke vlerësuar se mbishkrimi vetëm në gjuhën maqedonase përbën shkelje të frymës së bashkëjetesës dhe të parimit të dygjuhësisë, shkruan gazeta KOHA.

Në reagimin e tyre, ata theksojnë se Kumanova për një kohë të gjatë është konsideruar si një nga komunat që ka respektuar bashkëjetesën ndëretnike dhe përdorimin e barabartë të gjuhëve, por sipas tyre, veprimet e fundit të autoriteteve komunale po dërgojnë sinjale të kundërta.

Reagimi i plotë i këshilltarëve të AKI-së në Kumanovë:

Kumanova për një kohë të gjatë është konsideruar si një nga komunat që ka respektuar parimin e dygjuhësisë dhe bashkëjetesës mes komuniteteve. Fatkeqësisht, kohët e fundit po shohim veprime që tregojnë një tendencë të kundërt dhe që po e zbehin këtë frymë. Rasti më i fundit është vendosja e një tabele të re në hyrje të fshatit Çerkez, një vendbanim me popullsi pothuajse 100% shqiptare, ku mbishkrimi është vendosur vetëm në gjuhën maqedonase.

Ky veprim nuk mund të shihet ndryshe veçse si një provokim i panevojshëm dhe një mesazh që cenon respektin ndaj identitetit dhe gjuhës së banorëve të këtij fshati. Kjo është vazhdimësi e një politike që shumë qytetarë e shohin si përpjekje për të minimizuar praninë dhe simbolikën shqiptare në hapësirat publike.

Përgjegjësinë për këto veprime e mbajnë drejtuesit aktualë të komunës, me në krye Maksim Dimitrievskin së bashku me vasalët e tij ne pushtetin lokal dhe qendror, të cilët në vend se të forcojnë bashkëjetesën dhe barazinë, po krijojnë ndarje dhe pakënaqësi mes qytetarëve. Kërkojmë urgjentisht që kjo tabelë të hiqet dhe të zëvendësohet me tabele dy gjuhësore në përputhje me rregullativën ligjore. Respektimi i dygjuhësisë nuk është privilegj, por detyrim ligjor dhe moral në një shoqëri multietnike.

Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë parim përbën hap prapa për demokracinë, barazinë dhe respektin e ndërsjellë. (koha.mk)

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo