Mickoski: Maqedonia ndër pesë vendet e para në Evropë për rritjen e BPV-së sipas Eurostatit – rritje e prodhimit industrial dhe rritje e numrit të vendeve të punës
“Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar qytetarë,
Qëllimi i konferencës së sotme për shtyp janë rezultatet më të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror për Statistikë, të cilat kanë të bëjnë me rritjen e Bruto Produktit Vendor (BPV). Këto shifra tregojnë se rritja e BPV-së është sërish ndër pesë vendet e para në Evropë, si përqindje e BPV-së, gjë që paraqet një rezultat të jashtëzakonshëm.
Para se të ndalem më gjerësisht te shifrat, dua të theksoj se jam plotësisht i vetëdijshëm për kompleksitetin e jetës reale dhe rrethanat e vështira me të cilat përballen qytetarët, por edhe ne si Qeveri. I kuptoj problemet, koston e lartë të jetesës dhe presionet e përditshme. Ndoshta dikush ka dilema për zhvillimin që po krijojmë, e do të ketë edhe të tillë që do t’i shohin këto me përqeshje, por dua të theksoj se qëllimi ynë është të ecim hap pas hapi përpara dhe të vazhdojmë me këmbëngulje të luftojmë për një jetë më të mirë. Sepse unë dhe të gjithë ne duhet të besojmë se mundemi më mirë dhe se çdo ditë, çdo orë, punojmë që Maqedonia të ecë më shpejt përpara.
Në vazhdim do të doja t’ju paraqes tre parametra të rëndësishëm statistikorë që Enti Shtetëror për Statistikë i ka publikuar gjatë periudhës së kaluar.
Sot ESHS publikoi këto të dhëna:
1.Vlera e rritjes së BPV-së sipas Eurostatit, pra, këtë nuk e thotë Qeveria, as Hristijani, as partitë, por Eurostati. Sipas Eurostatit, vendet janë renditur sipas rritjes së realizuar të BPV-së dhe do të vëreni se ne jemi në vendin e 5-të krahasuar me shtetet për të cilat Eurostati ka publikuar të dhëna për rritjen, por menjëherë pas Maltës, Polonisë dhe Serbisë praktikisht renditet edhe vendi ynë.
Nëse analizohen tabelat që publikon Eurostati, do të arrijmë në përfundimin se për tremujorin e shtatë radhazi, përsëri pas konsolidimit të institucioneve, si Qeveri po realizojmë rritje të BPV-së që fillimisht na rendit në gjysmën e parë të Evropës, e më pas edhe ndër pesë vendet e para në Evropë sipas Eurostatit. Do të them përsëri, ky nuk është tregues që e publikon Qeveria, por parametër që e publikon Eurostati.
2. Parametri i dytë për të cilin dua të flas sot është prodhimi industrial.
Këtu kemi rezultate të papërshtatura dhe të përshtatura sezonalisht. Këta janë indekset e prodhimit industrial. E di se kjo do të jetë një lajm i keq për ata që nuk duan që ky shtet të ketë sukses dhe rrjedhimisht nuk duan as që qytetarët të kenë sukses, por do të duhet t’i zhgënjej, dhe ndërkohë, është lajm i mirë për shumicën dërrmuese të qytetarëve maqedonas kur do të lexojnë se në muajin prill të këtij viti prodhimi industrial është rritur me plot 7,6% krahasuar me prillin e vitit të kaluar.
Me këtë, në katër muajt e parë të vitit, në tremujorin e parë të vitit 2026, si rrallë ndonjë shtet në Evropë, kemi prodhim industrial që është pozitiv, i vogël, me 0,2%, por jo negativ, në kushte kur përballemi me krizën më të madhe energjetike në botë, e cila sipas njohësve të kësaj fushe është më e madhe edhe se krizat energjetike të viteve ’70 të shekullit të kaluar dhe ajo e vitit 2022, kur filloi lufta në Ukrainë.
3. Parametri i tretë që gjithashtu është i rëndësishëm të dihet në pjesën e ekonomisë, do të jetë përsëri një zhgënjim për të gjithë ata që nuk duan që shteti të ketë sukses dhe që çdo ditë përpiqen të dërgojnë sa më shumë konstruksione dhe gënjeshtra, dhe ky është numri i vendeve të reja të punës, pra të punësuarve të rinj.
Numri i të punësuarve është rritur gjatë 21 muajve të parë të punës së kësaj Qeverie. Pse themi gjatë 21 muajve të parë? Sepse shkalla e të punësuarve në fund të marsit 2026 është 707.385, ndërsa kur Qeveria u zgjodh në qershor të vitit 2024, në fund të tremujorit të dytë, numri i të punësuarve ishte 691.736, ose afërsisht 17.000, gjegjësisht më saktë 16 mijë vende të reja pune të krijuara.
E di se këto informacione dhe këto shifra, të cilat janë vetëm tre nga ato që po paraqesim në konferencën e sotme për shtyp, ndërsa për disa parametra të tjerë do të flasë edhe ministrja e Financave, do të jenë lajm i keq për ata që luten që ky shtet të mos ketë sukses, por janë lajm i mirë për shumicën dërrmuese të qytetarëve, sepse Maqedonia po përshpejton dhe po ecën përpara.
Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë,
Qëllimi i konferencës së sotme për shtyp ishte të shpjegojmë konkretisht se çfarë po bëjmë dhe cilat janë rezultatet. Sepse Maqedonia po përshpejton dhe shteti duhet të ecë përpara.
Po tregojmë se edhe me resurse modeste mund të arrijmë shumë. Mbetemi të përkushtuar në zgjidhjen e problemeve, kthimin e borxheve dhe menaxhimin e krizës së naftës, e cila është e importuar. Sigurojmë investime dhe hapim vende të reja pune. Ne duhet të garantojmë përparim dhe t’i lëmë pas justifikimet, nuk ka vend për dëshpërim.
Në një kohë kur rajoni dhe bota përballen me sfida serioze ekonomike, të sigurisë dhe politike, kur shumë shtete luftojnë me pasojat e krizave globale, presionet inflacioniste, tregjet e çrregulluara dhe pasiguritë gjeopolitike, ne po tregojmë se mund të ecim përpara.
Pavarësisht mjedisit kompleks, shteti po shënon rritje, po lëviz në drejtim pozitiv dhe po dëshmon se me politika të përgjegjshme, disiplinë dhe një plan të qartë mund të krijohet stabilitet, të nxitet zhvillimi dhe të hapet rruga për një jetë më të mirë për qytetarët.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse suksesi në këto kushte nuk është rezultat i gjendjes së trashëguar, por para së gjithash rezultat i punës së përkushtuar, prioriteteve të qarta dhe vendosmërisë që shteti të mos jetë peng i krizave, por t’i zgjidhë dhe t’i tejkalojë ato.
Të mos harrojmë se kjo është një Qeveri që mbetet e përkushtuar edhe në luftën kundër korrupsionit dhe se ndryshimi ndihet në faktin që drejtësia dhe rregullat duhet të vlejnë për të gjithë.
Pres që në periudhën që vjen ritmi dhe rezultatet e punës të jenë edhe më të fuqishme.
Rritja ekonomike dhe rritja e BPV-së nuk janë vetëm shifra. Ato janë dëshmi e punës sonë, e investimeve dhe e përkushtimit të përbashkët për një të ardhme më të mirë. Qëllimi ynë është një ekonomi e fortë, stabile dhe konkurruese që do të krijojë vende të reja pune, paga më të larta dhe standard më të mirë jetese për të gjithë. Do të vazhdojmë me politika që nxisin zhvillimin, inovacionin dhe përparimin ekonomik. Së bashku, hap pas hapi, po e ndërtojmë të ardhmen e shtetit tonë.
Ju faleminderit.”
youtube.com/live/PyVVl3hftz8?si=hrrFABgGp3z-042f