Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë që tronditi Gjermaninë mbrëmjen e sotme, në lagjen Höchsten të qytetit të Dortmundit, ku një person i dyshuar si shtetas serb u barrikadua në një apartament dhe dyshohet se mori peng dy fëmijë të mitur.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, incidenti nisi në një lokal, ku personi i dyshuar kërcënoi klientët dhe përdori sprej djegës, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve. Pas ngjarjes, ai u largua me automjet nga vendi i incidentit.
Gjatë përpjekjes së policisë për ta ndaluar, shtetasi serb dyshohet se hapi zjarr nga automjeti në lëvizje, duke plagosur një efektiv policie. Falë jelekut antiplumb, polici ka mbetur vetëm i plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Pas përplasjes me forcat e rendit, autori i dyshuar u arratis dhe u fut në një ndërtesë banimi në Dortmund. Sipas informacioneve paraprake, ai besohet se mbante peng dy fëmijë të vegjël brenda apartamentit.
Menjëherë pas alarmit, zona u rrethua nga forca të shumta policore, ndërsa autoritetet vendosën masa të forta sigurie për të mbrojtur banorët e lagjes. Në vendngjarje u angazhuan edhe njësi speciale të policisë gjermane, të pajisura me mjete të blinduara dhe mburoja balistike.
Po ashtu, në zonë mbërriti një ekip negociator i Komandës Speciale të Ndërhyrjes (SEK), i cili nisi bisedimet me të dyshuarin me qëllim zgjidhjen paqësore të situatës dhe garantimin e sigurisë së fëmijëve.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione të detajuara mbi gjendjen e pengjeve apo motivet e mundshme të ngjarjes. Hetimet vijojnë, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij incidenti të rëndë që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Gjermani.