Tmerr në Itali/ Emigrantët nga Afganistani dhe Pakistani u dogjën të gjallë në një furgon sepse nuk paguan biletën (VIDEO)
Një ngjarje tronditëse ka shkaktuar reagime të forta në Itali, pasi katër emigrantë nga Pakistani dhe Afganistani u dogjën të gjallë brenda një furgoni në një pikë karburanti në rajonin e Kalabrisë.
Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara sot nga autoritetet, tregojnë momentet e sulmit. Sipas hetimeve paraprake, dy burra, që besohet se janë me origjinë pakistaneze, hodhën benzinë brenda automjetit dhe mbajtën të mbyllura dyert, duke penguar viktimat të largoheshin.
Pak çaste më vonë, furgoni shpërtheu në flakë, duke shkaktuar vdekjen e katër personave që ndodheshin brenda.
Falë pamjeve të kamerave të sigurisë, karabinierët italianë identifikuan dhe arrestuan dy të dyshuarit për krimin.
Sipas mediave italiane, motivi i sulmit lidhet me refuzimin e viktimave për të paguar para për transportin me furgon.
Një mik i viktimave deklaroi për mediat se ata punonin në toka bujqësore në kushte të rënda shfrytëzimi. Sipas tij, emigrantët shpesh nuk merrnin as pagesën minimale të premtuar për punën e tyre të përditshme.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, e cila ka rikthyer në vëmendje kushtet e vështira me të cilat përballen shumë punëtorë emigrantë në sektorin bujqësor të vendit.
Orrore in Calabria: 4 braccianti pakistani bruciati vivi in un minivan ad Amendolara (Cosenza). Le portiere bloccate dall’esterno, benzina versata e fuoco appiccato. Due fermati per omicidio. L’ennesima tragedia nel mondo dello sfruttamento del caporalato tra lavoratori migranti. pic.twitter.com/bZQQuvTBq6
— precipitevolissimevolmente (@saures788) June 2, 2026