Trump thotë se Irani është pajtuar për garanci mbi programin bërthamor

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani ka dhënë garanci se nuk do të zhvillojë armë bërthamore, ndërsa deklaroi se Uashingtoni po i afrohet një “marrëveshjeje shumë të mirë” për t’i dhënë fund luftës tre mujore me Teheranin.

Komentet e Trumpit, të bëra në një intervistë për Fox News të transmetuar më 30 maj, erdhën mes raportimeve se zyrtarët amerikanë i kanë dërguar Teheranit një propozim më të ashpër për paqe.

Ndërkohë, një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit akuzoi Trumpin se po “tradhton diplomacinë për herë të tretë” dhe po paraqet atë që ai e quajti “kërkesa të tepruara” në negociata.

Këmbimet e vazhdueshme mes palëve nxjerrin në pah vështirësitë me të cilat është përballur administrata amerikane në përpjekjet për t’i dhënë fund një konflikti që ka tronditur tregjet globale të energjisë dhe ekonominë botërore, si dhe theksojnë refuzimin këmbëngulës të Iranit ndaj kërkesave të Uashingtonit.

Fati i programit bërthamor të Iranit mbetet një nga pengesat kryesore për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Uashingtoni, së bashku me aleatin e tij Izraelin, kanë kërkuar kufizime të gjera për të parandaluar Iranin nga ndërtimi i një arme bërthamore. Teherani, që ka pasuruar uranium në nivele pranë atyre të nevojshme për armë bërthamore, këmbëngul se aktivitetet e tij atomike janë për qëllime civile.

Negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë shkëmbyer disa propozime gjatë javëve të fundit. The New York Times dhe faqja Axios raportuan më 30 maj se Trump i kishte kthyer Teheranit një kornizë të re që përmbante kushte “më të ashpra”.

Përveç çështjes së programit bërthamor të Iranit, rihapja e Ngushticës strategjike të Hormuzit — e cila prej javësh është pothuajse e mbyllur nga Irani — mbetet pika tjetër kryesore e mosmarrëveshjes.

Në intervistën për Fox, të realizuar më 28 maj, Trump tha se Irani ishte pajtuar të mos zotërojë armë bërthamore.

“E vetmja garanci që duhet të kem është se nuk do të ketë armë bërthamore. Ata janë pajtuar me këtë dhe kjo ishte shumë interesante”, tha ai.

Trump shpalli armëpushim me Iranin më 8 prill, megjithëse të dyja palët kanë kryer herë pas here sulme të shkallës së vogël: Irani ndaj aleatëve të SHBA-së në rajonin e Gjirit Persik dhe Uashingtoni ndaj objektivave iraniane brenda vendit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se Uashingtoni është i gatshëm të rifillojë sulmet ndaj Iranit nëse negociatat në vazhdim nuk çojnë në një marrëveshje.

Duke folur në një forum të mbrojtjes dhe sigurisë në Singapor më 30 maj, Hegseth tha se SHBA-ja ishte “më se e aftë” të riniste sulmet nëse do të ishte e nevojshme dhe se rezervat e saj ushtarake ishin “më se të përshtatshme” për operacione të tilla.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara po përballen me mungesa të disa sistemeve kyç të armëve dhe se do të duhen muaj për të rindërtuar rezervat e tyre./rel.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo