Presidenti rus Vladimir Putin ka premtuar se do të hakmerret me kundërpërgjigje ndaj Ukrainës, pasi Moska e akuzoi Kievin për një sulm vdekjeprurës ndaj një konvikti studentësh në Starobilsk, në rajonin e pushtuar të Luhanskut, raportoi BBC.
Sipas autoriteteve të mbështetura nga Rusia, nga sulmi gjatë natës humbën jetën 10 persona, ndërsa 38 të tjerë mbetën të plagosur. Po ashtu, raportohen edhe 11 persona të zhdukur.
Ukraina deklaroi se kishte goditur selinë e njësisë elitare ruse të dronëve “Rubicon” në Starobilsk, por nuk konfirmoi nëse objekti i goditur ishte i njëjti me ndërtesën që Rusia e identifikon si konvikt studentësh.
Putin tha se në zonë nuk kishte objekte ushtarake apo të shërbimeve sekrete dhe urdhëroi ushtrinë ruse të përgatisë “propozime” për hakmarrje. Sipas tij, sulmi u krye në tre seri sulmesh me 16 dronë.
Ndërkohë, autoritetet ruse raportuan edhe për një zjarr në një depo nafte në portin rus të Novorossiyskut, pas rënies së mbetjeve nga dronët ukrainas. Dy persona mbetën të plagosur.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se forcat ukrainase kishin goditur edhe një seli të shërbimit rus të sigurisë FSB, në rajonin e pushtuar të Khersonit, duke shkaktuar dhjetëra viktima mes forcave ruse.