Tragjedi në familjen shqiptare në Itali: 2-vjeçarja përplaset aksidentalisht për vdekje nga babai i saj
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku një vajzë vetëm 2-vjeçare ka humbur jetën pasi u përplas aksidentalisht nga makina që drejtohej nga babai i saj në oborrin e banesës.
Tragjedia ndodhi mëngjesin e sotëm në Bollengo, pranë Ivreas në Torino. Vogëlushja, Elodie Kullafi, dyshohet se i ka shpëtuar për një moment vëmendjes së nënës, ndërsa babai i saj, 29-vjeçari Intrit Kullafi, po lëvizte makinën mbrapsht në oborr për ta dërguar të bijën në çerdhe.
Përplasja rezultoi fatale për të miturën. Prindërit e dërguan menjëherë drejt spitalit në Ivrea, por fatkeqësisht 2-vjeçarja mbërriti pa shenja jete. Mjekët tentuan për më shumë se një orë ta rikthenin në jetë, por pa sukses.
Policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë që ka tronditur jo vetëm familjen shqiptare, por edhe komunitetin ku ata jetonin prej vitesh.
Sipas mediave italiane, familja Kullafi ishte e integruar prej kohësh në zonë dhe nuk kishte fëmijë të tjerë. Kryebashkiaku i Bollengos, Luigi Ricca, ka shprehur ngushëllimet për familjen, duke deklaruar se kjo është “një dhimbje për të gjithë komunitetin”.
Një tragjedi rrëqethëse që i ka lënë pa fjalë banorët e zonës dhe ka shkatërruar jetën e dy prindërve shqiptarë.