Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës kanë arritur një “nivel të paparë”, ndërsa theksoi se miqësia mes dy vendeve “nuk është e drejtuar kundër askujt”.
Në një video-mesazh para udhëtimit, Putin tha se Moska dhe Pekini janë të përkushtuara për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha si politika, ekonomia, mbrojtja dhe shkëmbimet humanitare.
“Miqësia jonë nuk është e drejtuar kundër askujt”, u shpreh Putin, duke shtuar se lidhjet mes dy vendeve bazohen në “mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë”, si dhe në mbështetjen për sovranitetin dhe interesat thelbësore të njëri-tjetrit.
Presidenti rus e përshkroi Xi Jinping si një “mik të mirë prej kohësh” dhe theksoi rëndësinë e kontakteve të rregullta të nivelit të lartë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Sipas Putinit, Rusia dhe Kina kanë ndërtuar një “partneritet strategjik gjithëpërfshirës” që nga nënshkrimi i Traktatit të Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit Miqësor 25 vite më parë.