Shkruan: Merxhan Jakupi
Pas rezolutës së Informbirosë, në janar të vitit 1948, Politbyroja, me liderin komunist Tito, vendosi shkëputjen dhe ndarjen nga Stalini. Ky konflikt dhe kjo ndarje mes dy liderëve, Titos dhe Stalinit, nxitën konfliktin dhe ndarjen ideologjike mes Titos dhe Enver Hoxhës. Konflikti ideologjik mes dy liderëve komunistë solli ndarjen dhe izolimin e kombit shqiptar.
Mes dy kufijve, jugosllav dhe shqiptar, u vendos perdja e hekurt, me tela me gjemba dhe fusha të minuara. Kjo periudhë e ndarjes së kombit shqiptar nuk kishte ndodhur as gjatë sundimit pesëshekullor të Perandorisë Osmane dhe as gjatë periudhës së Mbretërisë Jugosllave. Vendosja e perdes së hekurt, telave me gjemba dhe fushave të minuara gjatë katër dekadave të komunizmit përbën një nga periudhat më të errëta dhe më të liga të historisë së kombit shqiptar.
Stalini, përmes Kominternës dhe agjentëve, kishte përgatitur një puç për ta rrëzuar Titon. Po ashtu, përmes shteteve të kampit komunist dhe Shqipërisë komuniste, kishte mobilizuar Armatën e Kuqe për ta pushtuar Jugosllavinë. Tito kishte filluar spastrime brenda Partisë Komuniste ndaj atyre që ishin lojalë dhe pro stalinistë.
Në zonën kufitare të Malësisë së Sharrit kishte shpesh incidente. Nga këto incidente ishin vrarë dhe plagosur ushtarë jugosllavë dhe ushtarë shqiptarë. Në katundet e malësisë kalonin karvanë me kuaj dhe mushka, të ngarkuara me armë për karaullat e kufirit jugosllav.
Disa kalimtarë në bjeshkët e Sharrit kishin gjetur trupin e pajetë të një mesuesi nga këta katunde. Situata kishte eskaluar kur u hap lajmi se ushtarët kufitarë të shtetit shqiptar kishin vrarë dy ushtarë jugosllavë.
Arratisje kishte në të dy anët e kufirit. Në stacionin e ish xhandarmërisë serbe të katundit, policia kufitare kishte sjellë dy shtetas shqiptarë që ishin arratisur nga Shqipëria. Po ashtu, tre shtetas jugosllavë, duke tentuar të arratiseshin për në Shqipëri, ishin zënë nga roja e ushtarëve jugosllavë. Njëri nga ta ishte maqedonas, dy të tjerët shqiptarë.
Shefi i policisë filloi ta torturojë, ta rrihte me shqelma, ta shante dhe ta pështynte në fytyrë, duke u çjerrë ndaj tij me fjalët “bastard, bir kurve, kush të shtyu të arratisesh në Shqipëri?”.
Ish-partizanët, veteranë të Luftës së Madhe, që mbaheshin kryeneçë dhe shpesh këndonin këngë për dy prijësit e tyre, Marshall Titon dhe Enver Hoxhën, shumë rrallë dilnin te kafeneja e katundit. Ndërkohë, arrestimi i një ish partizani, i akuzuar si stalinist dhe enverist, kishte bërë që veteranëve të Luftës së Madhe t’u hynin ethet dhe frika në palcë.
Aqif Qavgjati, duke u tallur dhe bërë hajgare, i tha Rustem Topojanit: “Ngadalë, beg, se ka hendek!” . “Eh, këta kapadahi, para një jave këndonin këngë për dy prijësit, Marshallin dhe Enverin”, e ndërpreu dhe mori fjalën Zendeli, burrë shakaxhi dhe majtapaxhi.
“Para një jave askujt nuk ia merrte mendja se Marshalli me Enverin do të kacafyteshin e do të përlesheshin si gjela. Ishin betuar për jetë a vdekje, si dy të rinj kur bien në dashuri, duke u betuar deri në vdekje se nuk do ta tradhtonin njëri-tjetrin”, po bënte humor Zendeli.
Në zonën kufitare të katundeve të Malësisë së Sharrit, tërë natën ishin dëgjuar të shtëna armësh. Roja kufitare në karaull kishte alarmuar se tre ushtarë ishin plagosur, ndërsa një ushtar jugosllav kishte mbetur i vrarë. Koloneli sillej si i çmendur dhe i trullosur kur dëgjoi për vrasjen e ushtarëve në kufi nga ushtarët shqiptarë. Filloi së pari me sharje vulgare dhe shtoi: “Me ndihmën e shokut Tito dhe Partisë Komuniste, ne i mbrojtëm këta arnautë bastardë e matrapazë. Derdhëm gjak dhe ndihmuam për themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare!”. Duke shtrënguar nofullat dhe duke bërtitur, ai vazhdoi: “Këta cuba, kaçakë e ballistë, tash po vrasin ushtarët tanë. Më mirë t’i kishim lënë me Duçen dhe Hitlerin!”. Ishte mesi i natës. Nga malet dhe bjeshkët dëgjoheshin ulërimat e ujqve dhe lehjet e qenve.
Në karaullat nga të dy anët e kufirit dëgjoheshin zërat e radioparlantëve. Sipas radiove të shteteve të huaja, në lajme thuhej se Shqipëria do të bëhet “Guverna Ruse”, republika e gjashtëmbëdhjetë e Bashkimit Sovjetik.
Pas lajmeve fillonin fjalimet e prijësve komunistë. Nga Radio Tirana dëgjoheshin ovacione dhe slogane: “Stalin, Enver, ne do flasim çdo herë!”. Në një fjalim kishte folur shoku Stalin: “Do ta rimëkëmbim ekonominë e Shqipërisë. Ne, sovjetikët, po të heqim vetëm një mëngjes ose një darkë pompoze për një vit, mund ta ushqejmë shtetin shqiptar”.
NGA KRISHTI NË ANTIKRISHT
Arratisje të shpeshta vazhdonin në zonën kufitare dhe shumica e shtetasve shqiptarë që arratiseshin kalonin kufirin jugosllav. Dy të arratisur, pasi kishin kaluar zonën kufitare, në hyrje të një katundi kishin trokitur te një shtëpi.
“A pret miq, o i zoti i shtëpisë?”
Nga çardaku bënte dritë një fener. U dëgjua një zë burri: “Kush jeni dhe me kë jeni?”. Në moment, të arratisurit u këqyrën mes veti dhe nuk dinin ç’të thoshin. “E kuptoni kumtin e nikoqirit?”, tha njëri. “Do të thotë me cilët jemi? Me Enverin apo me Titon?”. “Jemi me Shqipërinë etnike”, u dëgjua zëri. Atëherë nikoqiri tha: “Pashë din e iman, pashë Zotin e pejgamber, mos më pritni në besë, se kam pesëmbëdhjetë robë në shtëpi”.