Autoritetet turke kanë arrestuar 324 persona të dyshuar për lidhje me organizatën terroriste “Shteti Islamik” në një operacion të gjerë të kryer në të gjithë vendin, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme e Turqisë.
Në njoftim thuhet se arrestimet u kryen në 47 provinca, ndërsa në mesin e të arrestuarve ka persona të dyshuar për financimin e ISIS-it, si dhe individë që besohet se kanë qenë aktivë në radhët e kësaj organizate më parë.
”Për paqen, unitetin dhe solidaritetin e kombit tonë, ne vazhdojmë operacionet tona pa u lodhur, ditë e natë, 365 ditë të vitit,” thuhet në njoftimin e ministrisë.
Deri më tani nuk janë publikuar detaje mbi shtetësinë e të arrestuarve.
Turqia edhe më parë ka ndërmarrë aksione të ngjashme kundër pjesëtarëve të Shtetit Islamik, i cili ka kryer disa sulme vdekjeprurëse në vend, përfshirë sulmin në klubin e natës “Reina” në Stamboll gjatë natës së Vitit të Ri në vitin 2017, ku u vranë 39 persona.
Në dhjetor të vitit të kaluar, pati një përleshje të armatosur mes anëtarëve të ISIS-it dhe policisë në Turqinë veriperëndimore, ku mbetën të vrarë tre policë dhe gjashtë ekstremistë. Muajin e kaluar, tre sulmues hapën zjarr ndaj policisë para ndërtesës ku ndodhet konsullata e Izraelit në Stamboll, pasuar nga një shkëmbim zjarri ku një nga sulmuesit mbeti i vrarë.